E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ambasada Italiane: Kushtet për të kaluar pa vizë në Itali

Emigrantët shqiptarë që kanë bërë kërkesë për rinovimin e lejes së qëndrimit mund të kthehen pa vizë në Itali
TIRANË- Emigrantët shqiptarë, rezidentë në Itali, kanë një shans për të kaluar tranzit në vendet e BE-së, edhe kur janë në pritje të rinovimit të lejes së qëndrimit. Ministria e Brendshme italiane i ka kërkuarBashkimit Evropian dhe Komisionit Evropian që të lejojnë tranzitin e qytetarëve që nuk bëjnë pjesë në vendet anëtare, por kanë qëndrim të rregullt në Itali. Lajmi i mësipërm u është bërë me dije zyrtarëve shqiptarë nëpërmjet një note-verbale të Ambasadës Italiane në Tiranë. "Ky lehtësim i përkohshëm i tranzitit, do të jetë i vlefshëm deri në datën 31 mars të vitit 2008 dhe do të aplikohet për qytetarët shqiptarë që zotërojnë akt -tranzitin, faturë të postës italiane S.P.A. që vërteton paraqitjen e kërkesës për rinovimin e lejes së qëndrimit, pasaportë të vlefshme dhe lejen e qëndrimit të skaduar",-thuhet në notën-verbale të Ambasadës Italiane. Tranziti mund të realizohet përmes kufijve tokësorë, detarë dhe ajrorë.
 
Një tjetër lajm i mirë për emigrantët shqiptarë është kthimi në Itali pa vizë, nëse plotësojnë disa kushte. Sipas Ambasadës italiane në Tiranë, qytetarët shqiptarë që zotërojnë faturën e Postës Italiane që vërteton paraqitjen ekërkesës për lëshimin e lejes së parë të qëndrimit për punësim, punë të pavarur apo bashkim familjar, mund të kthehen në Shqipëri dhe të hyjnë sërish në territorin italian, pa kërkuar vizë rihyrjeje. Kushtet janë dalja dhe rihyrja në Itali nga e njëjta pikë kufitare, të mos kalojnë tranzit nga vende të tjera të BE-së si dhe të kenë me vete e të vulosin faturën e postës italiane.
 
Ambasada italiane njofton gjithashtu se Ministria e Brendshme italiane ka konfirmuar se qytetarët shqiptarë me qëndrim të rregullt, të cilët zotërojnë faturën që vërteton paraqitjen e kërkesës për rinovim ose ndryshim të lejes së qëndrimit për regjistrimin e "fëmijëve të mitur", mund të kërkojnë në Itali një leje qëndrimi të përkohshme, me kohëzgjatje të kufizuar, sipas nevojave të parashikuara. Këto lehtësime, do t'iu lejojnë edhe të miturve të dalin përkohësisht në Itali si dhe të rihyjnë aty, njësoj si prindërit, falë procedurave të lehtësuara. Lehtësime të tilla procedurash duket se po ua bëjnë më të lehtë lëvizjen qytetarëve shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Itali. Tashmë, ata mund të lëvizin në të dyja anët e kufirit duke shmangur radhët e gjata për vizë në Ambasadën italiane, por duke paraqitur lejen e skaduar të qëndrimit në Itali si dhe faturën e postës që vërteton se ata kanë bërë kërkesë për rinovimin e kësaj lejeje. Sa për kalimin tranzit të qytetarëve shqiptarë, rezidentë në Itali,në vendet e tjera të BE-së, pritet një përgjigje nga Bashkimi Evropian dhe Komisioni Evropian.
Kthimi pa vizë në Itali
Dalja dhe rihyrja në Itali të bëhet nga e njëjta pikë kufitare.
Udhëtimi të mos parashikojë tranzit në vende të tjera Schengen. Tranziti përmes vendeve të tjera nuk lejohet për personat që kanë paraqitur kërkesë për lejen e parë të qëndrimit.
I huaji të paraqesë pasaportën së bashku me vizën e hyrjes, në mënyrë që të kuptohenarsyet e qëndrimit (punësim, punë e pavarur apo bashkim familjar) si dhe faturën e postës italiane.
Personeli i kontrolleve kufitare duhet të vulosë pasaportën dhe faturën që do të paraqiten nga personi që i zotëron, në momentin e daljes dhe rihyrjes në Itali.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›