E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vendimi, mbyllen 52 zyra të gjendjes civile

Këshilli i Ministrave ka miratuar dje vendimin për mbylljen e disa zyrave të Gjendjes Civile
TIRANË- Numri i punonjësve të Gjendjes Civile në të gjithë vendin do të pësojë ndryshime. Që nga data 1 shkurt e këtij viti, punonjësit e Gjendjes Civile do të jenë 488 persona, në bashki dhe në komuna, nga 506 që kanë qenë aktualisht. Një gjë e tillë përcaktohen në projektvendimin që ka miratuar dje Këshilli i Ministrave, i cili konsiston në një strukturë dhe organikë të re të Gjendjes Civile, në njësitë e qeverisë vendore. Sipas projektvendimit, numri i punonjësve të gjendjes civile në të gjithë vendit do të ulet me 52 persona, për shkak se ai parashikon mbylljen e 52 zyrave të Gjendjes Civile. Këto zyra të gjendjes civile që do të mbyllen, sipas projektvendimit, ndodhen në njësitë e qeverisjes vendore, të cilat kanë një numër popullsie më të vogël sesa 3 mijë banorë, dhe do të kalojnë në njësinë me të afërt administrative me të. Në relacionin që shoqëron projektvendimin sqarohet se, mbyllja e 52 zyrave të Gjendjes Civile lind nga fakti se në këto njësi aktiviteti funksional i tyre si dhe lëshimi i certifikatave është në shifra shumë të ulëta, duke bërë që ato të mos punojnë me eficiencë kohe pune të plotë. Një tjetër arsye e mbylljes së tyre është për shkak të territorit ku ndodhen e për pasojë nuk kanë mundësi të lidhen me rrjetin e informatizimit, nuk kanë mundësi të kërkojnë investime të mëdha dhe nuk krijojnë siguri fizike. Përveç mbylljes së këtyre zyrave dhe shkurtimit të numrit të punonjësve, projektvendimi i miratuar dje nga qeveria kërkon që të realizohet plotësimi i zyrave me nëpunës të gjendjes civile, duke përllogaritur si kriter që një nëpunës të mos mbulojë më shumë se 15 mijë banorë. Një gjë e tillë, thuhet në relacion, do të kërkojë një shtesë punonjësish prej 35 nëpunësish. Shtesa e këtyre punonjësve dhe mbyllja e 52 zyrave të Gjendjes Civile do të bëjë që, numri i përgjithshëm i nëpunësve të ulet në 488 nga 506 që është aktualisht. Sipas organikës së re që Ministria e Brendshme ka përgatitur për Gjendjen Civile, numri total i zyrave në të gjithë vendin tonë është 356, ku 100 zyra të gjendjes civile ndodhen në bashki dhe 256 zyra ndodhen në komuna. Përsa i përket numrit të punonjësve, 218 janë përcaktuar si punonjës në zyrat e Gjendjes Civile në bashki dhe 270 në komuna. Vetëm në bashkinë e Tiranës do të ketë 16 zyra të gjendjes civile, ku numri i punonjësve do të jetë 62. Ndërkohë, për komunat e Tiranës numri i zyrave të Gjendjes Civile do të jetë 23, ndërsa numri i punonjësve 26.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›