Rrëzohen nga kati i katërt, plagosen pastruesit e xhamave
Leonard Harizi dhe Eduart Dajçi plagosen aksidentalisht në punë
TIRANË- Aksidentohen dy punëtorë, teksa pastronin xhamat e Bankës Kombëtare Tregtare. Ngjarja ndodhi paraditen e djeshme, te godina e BKT-së që ndodhet pranë Katedrales në Tiranë. Leonard Harizi dhe Eduart Dajçi po pastronin xhamat e katit të katërt të ndërtesës. Ata qëndronin brenda një kove, e cila ishte e lidhur tek një vinç. E ndërsa dy punëtorët ishin angazhuar për pastrimin e xhamave dhe ndodheshin ende në katin e katërt, është këputur litari që mbante kovën dhe për pasojë dy pastruesit kanë rënë nga kati i katërt i ndërtesës, por fatmirësisht ata i kanë shpëtuar vdekjes.Dëshmitarët transportuan me urgjencë dy të plagosurit në spitalin Ushtarak, për të marrë ndihmën mjekësore. Nga spitali mësohet se Leonard Harizi ndodhet në gjendje të rëndë, ndërsa Eduart Dajçi ka marrë plagë të lehta në trup. Në vendin e ngjarjes mbërriti policia, e cila nisi menjëherë hetimet për të zbardhur shkaqet e rënies së punëtorëve. Mësohet se dy të aksidentuarit janë punonjës të firmës pastruese "Silvio". Burime zyrtare nga policia thanë se pas këqyrjes së vendit të ngjarjes dhe marrjes në pyetje të dëshmitarëve rezulton se ngjarja ka ndodhur aksidentalisht, pasi është shkëputur kova nga vinçi. Ndërkohë që po verifikohen kushtet e sigurisë me të cilat punonin dy të dëmtuarit. Policia ka marrë në pyetje edhe drejtuesit e firmës pastruese, ndërsa po vazhdojnë më tej hetimet.