Përkrahja Sociale, Rama: PS do t'i japë fund
Skema e Përkrahjes Sociale, nuk do të ekzistojë më në rast se PS do të fitojë zgjedhjet parlamentare të vitit 2009
Elbasan- Skema e Përkrahjes Sociale nuk do të ekzistojë më në rast se e majta do të fitojë zgjedhjet parlamentare të vitit 2009. Socialistët premtojnë se kur të vijnë në pushtet, do t'i japin fund skemave të tilla të ndihmës ekonomike për shtresat në nevojë. Një fakt të tillë e ka bërë të ditur dje kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, gjatë takimit që ka zhvilluar me banorë të qytetit të Peqinit në kuadër të "Dialogut me Shqipërinë", ku dhe u diskutua pikërisht për problemet sociale që shqetësojnë sot shqiptarët. Duke premtuar se kjo temë do të jetë në qendër të diskutimeve për gjatë gjithë muajit janar, kryesocialisti Edi Rama duke bashkëbiseduar me të pranishmit në këtë takim, ka theksuar se skema e trajtimit ekonomikë për familjet në nevojë është parazitare dhe se ajo jo vetëm që nuk i ndihmon këto familje për të dalë nga gjendja e vështirë, por shpërndan edhe më tej varfërinë. Për këtë arsye ai ka theksuar se e majta, kur të vijë në pushtet, do të praktikojë skema të tjera, si ajo e kualifikimit dhe punësimit të njerëzve, natyrisht duke hapur vende të reja pune. "Qytetarët kanë të drejtën legjitime të kërkojnë më shumë dhe të kërkojnë që të ndahen nga një politikë e vjetër e gënjeshtrave, e korrupsionit dhe e mashtrimit të vazhdueshëm. Unë jam këtu për të afirmuar se ne do t'i japim fund skemave parazitare, skemave të ashtuquajtura të ndihmës dhe mbështetjes, të cilat në fakt nuk ndihmojnë dhe nuk mbështesin askënd, por vetëm shpërndajnë varfëri, vetëm e bëjnë varfërinë të palëvizshme duke e shpërndarë mes njerëzve dhe duke zgjatur hijen e saj",- tha kryesocialisti Edi Rama gjatë fjalës së tij. Gjithashtu ai ka siguruar shqiptarët se vetëm me anë të një programi politik dhe qeverisës praktik, do të mund që të ngushtohet hendeku midis kategorisë së vogël të njerëzve të pasur dhe atij grupi të madh njerëzisht që vuajnë sot pasojat e një varfërie ekstreme. "Sfida jonë e madhe, është që t'i japim fund varfërisë. T'i japim fund hendekut që zgjerohet përditë mes një pakice që pasurohet gjithnjë e më shumë dhe një shumicë që varfërohet çdo ditë e më shumë. Për ta bërë këtë ne duhet t'i japim jetë një politike të re, një shteti të ri dhe modern, një shteti që garanton shërbime për të gjithë dhe një shteti që u garanton të gjithëve mundësi të barabarta për të konkurruar, për t'u vlerësuar në bazë të aftësive dhe njëkohësisht, të një shteti që i shtrin gjithkujt dorën e solidaritetit, në rast se ajo apo ai gjenden në një moment të vështirë për arsye që janë jashtë forcave të tyre",- theksoi Rama. Ndërkohë që gjatë pasdites së djeshme kryesocialisti zhvilloi dhe një sërë takimesh me banorë të rrethinave të Elbasanit, ku natyrisht u diskutua mbi problemet e varfërisë dhe kushteve të jetesës.