Shehri: Dega e PD Tiranë, jo funksionale
Thuajse të gjitha kryetarët e nëndegëve janë emëruar në poste të larta të administratës shtetërore
TIRANË- Saimir Shehri, pas dorëheqjes nga posti i drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, ka përqendruar vëmendjen tek aktiviteti partiak, ku që prej dy muajsh është kryetari i nëndegës 40 të Partisë Demokratike të Tiranës. Pikërisht, gjatë ushtrimit të këtij funksioni partiak, Saimir Shehri ka konstatuar një problem në funksionimin e nëndegëve të PD-së së Tiranës, ku thuajse të gjitha kryetarët e nëndegëve janë emëruar në poste të larta të administratës shtetërore. Sipas Shehrit, kjo gjë tregon që dega e PD-së së Tiranës është jofunksionale dhe është i mendimit se, degët dhe nëndegët kur demokratët humbën në zgjedhjet vendore të 18 shkurtit 2007 duhet t'i nënshtroheshin votëbesimit. "Mënyra se si funksionon Partia Demokratike, kryesisht dega e Tiranës në këtë moment, mendoj se realisht është jofunksionale. Për mendimin tim, në momentin që në zgjedhjet e 18 shkurtit Tirana humbi, kryetari i degës dhe sekretari i degës të jepnin dorëheqjen, apo të votëbesoheshin. Edhe në ato nëndegë ku Partia Demokratike doli humbëse duhet të ishte bërë votëbesimi i strukturave drejtuese", është shprehur Saimir Shehri, duke lënë të nënkuptohet se mbështet ndarjen e funksioneve partiake nga ato administrative, një alternativë që prej kohësh është hedhur si ide për Partinë Demokratike, por që ende nuk është diskutuar në forumet e saj. Gjatë prononcimit për mediat, Saimir Shehri ka folur edhe mbi burgjet shqiptare dhe nevojën që ato kanë për të pasur një drejtues të ri, që nuk e kanë që nga momenti kur ai ka dhënë dorëheqjen. Sipas Shehrit, edhe ata që drejtojnë sot sistemin e burgjeve nuk janë të emëruar nga Kryeministri, ndaj dhe puna e tyre nuk është në nivelin që duhet të jetë, pasi ata nuk janë të motivuar. "Nëse situata do të vazhdojë të jetë e tillë, atëherë unë mendoj se problemet do të lindin",- është shprehur ish kreu i Burgjeve, i dorëhequr dy muaj më parë nga posti pas debatit të zhvilluar në media me ish ministrin e Drejtësisë, Rusmali.