Braçe: Kartat e Identitetit, rrezikohen të dhënat personale të shqiptarëve
Nënkryetari i grupit parlamentar të PS-së, bën publike shkeljet e rënda që shoqëron tenderin per kartat e identitetitTIRANË- Dhënia me koncesion e prodhimit dhe shpërndarjes së Kartës së Identitetit dhe Pasaportës Biometrike një kompanie të huaj, është e paligjshme dhe me kosto të lartë për qytetarët shqiptar. Pasi denoncoi një ditë më parë si jo transparente procedurat e ndjekura nga Ministria e Brendshme për këtë çështje, Partia Socialiste ka vazhduar dje të paraqesë të tjera argumente, të cilat, sipas saj, vërtetojnë jo vetëm shkeljet ligjore, por edhe rrezikun që i kanoset privacisë së qytetarëve shqiptarë nga administrimi i të dhënave të tyre personale nga kompania, që do të marrë përsipër të prodhojë këto dy dokumente shumë të rëndësishme. Nënkryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, duke iu referuar dokumentacionit ligjor në fuqi, ka evidentuar një sërë problemesh që lidhen me prodhimin e këtyre mjeteve të identitetit. Sipas tij, ajo që përbën dhe problemin më kryesor është garancia e munguar e qytetarëve shqiptarë për ruajtjen e të dhënave të tyre personale nga kompania koncesionare. "Ky proces ka të bëjë me të dhënat bazë personale të çdo shqiptari që jeton këtu apo në emigracion, siç është gjurma e gishtit, retina e syrit, mbase dhe ADN-ja. Është një çështje shumë e madhe sensitive balanca midis sigurisë publike që rrjedh nga karta e identitetit dhe të drejtave të njeriut, që lidhen drejtpërdrejtë me këto të dhëna personale dhe private, të cilat do t'i shfrytëzojë shteti dhe një kompani private",- u shpreh Braçe. Sipas tij qeveria, përpara se t'i japë të drejtën kompanisë private që të administrojë të dhënat personale të shqiptarëve, duhet që të marrë më parë pëlqimin e tyre. Braçe ka bërë të qartë se, edhe nga praktika botërore nuk ekziston një rast i tillë, me përjashtim të Argjentinës, ku shteti pas një viti u detyrua që të prishë kontratën me kompaninë që kishte marrë përsipër të pajiste qytetarët e atij vendi me pasaporta dhe karta identiteti. "A i ka pyetur qeveria shqiptarët se a janë ata të gatshëm t'i besojnë një kompanie të huaj, gjurmën e gishtit, retinën e syrit dhe ADN-në e tyre?",- tha Braçe. Një tjetër çështje e ngritur prej socialistëve është edhe ajo se, edhe pse Ministria e Brendshme shtyu për në shkurt hedhjen e tenderit për këtë çështje, ende nuk është e qartë nëse këto dokumente do të prodhohen falë një prokurimi publik apo një marrëveshjeje koncesionare. Nënkryetari i grupit socialist, Braçe, ka bërë të qartë se mungon legjislacioni ligjor që prodhimi i këtyre dokumenteve të bëhet me koncesion. Gjithashtu mungon vendimi i qeverisë për ta bërë diçka të tillë, si dhe mungon informacioni total mbi autoritetin përgjegjës që do të merret me këtë çështje. Ajo që është më shqetësuese, sipas tij, në këtë rast është dhe kostoja e lartë financiare që do të kishin këto dokumente për shqiptarët. "Qeveria, në rastin e ligjit për koncesionet nuk po bën gjë tjetër veçse një biznes të ndyrë në kurriz të shqiptarëve, me një kompani që do ta përzgjedhë vetë dhe që do t'ua shesë shqiptarëve pa u përcaktuar qoftë dhe një çmim minimal në treg",- u shpreh numri dy i grupit socialist, Erion Braçe.