Dalipi: Udhëtimet, Topalli shpenzon sa gjithë deputetët bashke
Socialistet kritikojnë shpenzimet pa kriter të Topallit përmes vizitave jashtë
TIRANË- Kryeparlamentarja Jozefina Topalli harxhon rreth 95 për qind të gjithë zërit të shpenzimeve të Kuvendit të caktuar në buxhetin e shtetit për këtë institucion. Në këtë përfundim ka arritur grupi parlamentar i Partisë Socialiste, pasi ka marrë në analizë të gjitha lëvizjet jashtë vendit që ka kryer kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli në rreth 2 vite e gjysmë në këtë post. Deputeti i PS-së, Alfred Dalipi në emër të grupit parlamentar socialistë ka denoncuar dje si skandaloz faktin që kryeparlamentarja Topalli ka kryer rreth 0.5 bilion kilometra udhëtime tokësore, detare dhe ajrore gjatë vizitave të saja zyrtare dhe jo zyrtare jashtë vendit me financim nga buxheti i Kuvendit. Për të ilustruar numrin e madh të udhëtimeve që kryeparlamentarja ka kryer gjatë kësaj kohe, deputeti Dalipi në mënyrë simbolike ka paraqitur përpara medias një hartë të Botës ku kishte vendosur nga një flamur për secilin prej shteteve të vizituar prej saj. "Këta dhjetëra flamuj të vendosur në shtetet respektive nuk do të jenë vendet ku do të udhëtojnë shqiptarët pa viza, por janë vende ku në dy vjet e gjysmë Kryetarja e Kuvendit ka shpenzuar taksat e shqiptarëve. Që nga Hollanda, Belgjika, Norvegjia, Rumania, Çekia, Polonia, Shtetet e Bashkuara nga Kanadaja dhe deri në cepin tjetër të botës në Pekin, Kryetarja ka shpenzuar taksat e qytetarëve. Në buxhetin e Kuvendit të Shqipërisë zëri i shpenzimeve të Kryetares në dy vjet e gjysmë zë 95%, që bëjnë të gjithë deputetët e Kuvendit. Në harkun e këtyre dy viteve Kryetarja e Kuvendit ka udhëtuar përqark globit në 0.5 bilionë km", - u shpreh Dalipi. Shpenzime që, sipas socialistëve, dyfishohen pasi kryetarja e Kuvendit në çdo udhëtim të sajën jashtë shtetit ka qenë e shoqëruar edhe me bashkëshortin e saj. Ndërkohë që duke e krahasuar periudhën kur në mazhorancë ishte e majta, Dalipi ka konstatuar se Topalli ka udhëtuar dy-fishin e kilometrave që kanë bërë katër ish-kryetarët e Kuvendit së bashku, pra Kastriot Islami, Skënder Gjinushi, Namik Dokle dhe Servet Pëllumbi. Ajo që është më shqetësuese sipas socialistëve, nuk është numri i madh i kilometrave të kryer në udhëtime, por shpërndarja e vizitave në ato vende të cilat pak rëndësi kanë në marrëdhëniet me Shqipërinë. "Shqetësimi ynë është se është shpallur një garë e shfrenuar për të njohur botënnga karrigia e institucioneve. Asnjëri nuk mund të japë motiv se pasi ka qenë Kryeministër i vendit në konferencën islamike dhe në Egjipt për të bërë apel për çështjen e Kosovës, të shkojë kryetarja e kuvendit. Asnjëri nuk mund të japë motiv se pasi do të udhëtojë një javë në kontinentin Afrikan, në fund të muajit, do t'i drejtohet sërishpo këtij kontinenti", - u shpreh Dalipi, duke theksuar gjithashtu se i vetmi vend ku nuk ka shkelur deri më sot Topalli është Amerika Latine, ku dhe ka programuar një vizitë tjetër gjatë muajit shkurt.