E Shtunë, 31 Tetor 2026

EMA: “Shqiptarët, të izoluarit e botës, ku nuk respektohen rregullat për vizë”

Lëvizja Europiane në Shqipëri monitoron Marrëveshjen për Liberalizimin e Vizave. Gabimet e qeverisë apo të konsullatave me aplikantët shqiptarë

Albert Gjoka

Prej një viti ka hyrë në fuqi Marrëveshja e Liberalizimit të Vizave, por shqiptarët vazhdojnë të jenë të diskriminuar nëpër sportelet e ambasadave të huaja. Një konstatim të tillë e bën monitorimi që i është bërë nga organizata Lëvizja Europiane në Shqipëri zbatimit të kësaj marrëveshjeje gjatë këtyre 12 muajve. “Një vit nga Marrëveshja e Lehtësimit të Vizave; Çfarë ka ndryshuar realisht?”, - kështu titullohet raporti i përgatitur nga Ditmir Bushati dhe Ilir Qorri, të cilët kanë parë problemet që konstatohen qoftë nga konsullatat e huaja në Shqipëri, qoftë edhe nga qeveria shqiptare apo përfaqësia e Komisionit Europian në Tiranë. Vonesat në dhënien e vizave për aplikantët, kostot shtesë që i bashkëngjiten tarifës për një vizë Shengen, standardet e ndryshme që përdoren nga ambasadat e shteteve anëtare të BE-së, janë disa nga problemet e konstatuara në raportin monitorues.
Shqiptarët, të izoluarit e botës
Hyrja në fuqi më 1 janar 2008 e Marrëveshjes së Lehtësimit të Vizave ndërmjet Shqipërisë dhe Komunitetit Europian u prit me një interes të veçantë nga qytetarët shqiptarë për shkak se ofron mundësi për lirinë e lëvizjes, por zbatimi i saj ka krijuar perceptime dhe realitete të ndryshme te shqiptarët. Ky fakt konstatohet në raportin monitorues të EMA-s, sipas së cilës qytetarët e këtij vendi vazhdojnë të listohen si më të izoluarit e botës. Një gjë e tillë faktohet edhe në Indeksin e Henley International Visa Restriction, ku Shqipëria renditet në vendin e 184-t në listën prej 192
vendesh. “Në krahasim me vendet europiane dhe ato të Ballkanit Perëndimor, Shqipëria zë vendin e fundit, duke u renditur në të njëjtin pozicion me Kamboxhian, Libanin, Pakistanin dhe Sudanin”, - konstaton raporti. Megjithëse ishte premtuar për shkurtim afatesh, reduktim çmimi, shtimin e vizave Shengen me shumë kalime për studentët, profesorët, gazetarët, pensionistët, fëmijët, etj., sërish shqiptarët e shohin të largët ditën kur do t’iu hiqet kalvari nëpër sportele.
Kategoritë e liberalizuara
Ndonëse janë listuar 18 kategori që përfitojnë nga politikat e liberalizimit të vizave, sërish ka probleme edhe te këto grupe në momentet që aplikojnë për të marrë një vizë Shengen. Konkretisht, bizneset ankohen për kohëzgjatjen e dhënies së vizave, e cila në disa raste jepet përtej afateve të kërkuara nga vetë aplikuesi. Po ashtu, Marrëveshja njeh si autoritet që përfaqëson biznesin, institucionin e Dhomës së Tregtisë së Republikës së Shqipërisë, gjë që ka krijuar diferencime të ndjeshme për anëtarët e dhomave apo organizatave të tjera të biznesit.
Monitorimi konstaton probleme edhe te trajtimi i operatorëve turistikë. Shqetësimi nis që në momentin që konsullatat përgatisin vetë listat e subjekteve që veprojnë në këtë sektor. “Besueshmëria e operatorëve turistikë dhe imazhi i tyre te përfaqësitë
konsullore influencon në konkurrencën e lirë mes subjekteve”, - thotë raporti. Edhe në këtë kategori përfituesish ka ankesa për lënien e datave të takimit në konsullata si dhe për numrin e kufizuar të personave që merren në intervistë për një ditë. Akademikët pohojnë se nuk ka ndryshuar ndonjë gjë në mënyrën e trajtimit nga ambasadat e huaja në Tiranë. Po ashtu, konsullatat përdorin mënyra të ndryshme komunikimi me aplikantët, gjë që ka shtuar kostot shtesë deri në momentin e marrjes së vizës.
Sugjerime për qeverinë
EMA ka listuar një sërë “detyrash për qeverinë shqiptare në praktikën e zbatimit të Marrëveshjes së Liberalizimit të Vizave. Sipas organizatës, e rëndësishme është që të krijohet besimi nëpër konsullata për dokumentet e identitetit që lëshohen dhe duhet të nisë shpërndarjen sa më shpejt të dokumenteve biometrike. Po ashtu, rekomandohet krijimi i një sistemi të dhënash për të gjitha kategoritë që përfitojnë nga liberalizimi; si dhe të shohë mënyrën se si i lëshojnë dokumentet organizatat apo institucionet që kanë përfituar fasilitete për vizat Shengen. EMA thotë se qeveria duhet të informojë qytetarët për pritshmëritë e procesit, ndërkohë që duhet të “monitorojë” edhe vetë konsullatat për mënyrën se si e zbatojnë marrëveshjen. Mes pikave që sugjerohen për qeverinë janë edhe rishikimi i praktikave për lëshimin e pasaportave të shërbimit dhe diplomatike si dhe të nisë bisedimet me vendet anëtare të BE-së që nuk janë pjesë e Marrëveshjes së Liberalizimit të Vizave me Shqipërinë, si p.sh. Zvicra.
Sugjerime për shtetet e BE-së
Organizata “Lëvizja Europiane në Shqipëri” thotë se Komuniteti Europian duhet të zbatojë marrëveshjet që ka firmosur vetë në mënyrë që të mos vihet në dyshim autoriteti i tij. Vendet anëtare duhet të harmonizojnë dhe unifikojnë procedurat. “Zbatimi i standardeve dhe kritereve të ndryshme për të njëjtën procedurë vize shkakton konfuzion në publik”, - thuhet në rekomandimet e EMA-s. Po ashtu, konsullatat duhet të rrisin transparencën për refuzimet e aplikimeve për vizë. Ndër pikat e kritikueshme është që të hiqen linjat e komunikimit me vlerë të shtuar dhe celular me linja fikse, çka do të ulte ndjeshëm koston e aplikimit për vizë për qytetarët shqiptarë. Disa konsullata, si italianet apo greket, duhet të shtojnë personelin për shkak të fluksit të madh të punës, ndërsa disa të tjera të shtojnë oraret e punës.

SHKELJET E MARRËVESHJES

1 – Në shumë raste nuk respektohet afati i dhënies së përgjigjes për vizë pas intervistës

2- Ndryshojnë standardet për dokumentacionin e kërkuar nëpër sportelet e konsullatave

3- Nuk respektohet nga të gjitha konsullatat heqja e tarifës për vizë te kategori të caktuara

4- Dokumentet e kërkuara nga konsullatat rritën çmimin në total të shpenzimeve për aplikime

5- Moszbatimi i rregullave të lëvizjes me vizë Shengen ka rritur refuzimet e aplikimeve për shqiptarët

18 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›