Ambasada Kineze dhuron libra dhe aparatura për seksionin kinez
Ambasada e Republikës Popullore të Kinës ka dhuruar dje libra, kompjuterë, mjete didaktike dhe elektronike për seksionin e Gjuhës Kineze në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja në Universitetin e Tiranës. Gjatë ceremonisë së organizuar me këtë rast, dje, në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, mori pjesë edhe ambasadori i Republikës Popullore të Kinës në Tiranë, Wang Junling, rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule, dekania e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, Klodeta Dibra, etj. Rektori i Universitetit të Tiranës, përshëndeti nismën për krijimin e seksionit të gjuhës Kineze në këtë fakultet, duke e quajtur edhe një nevojë në kushtet e reja të politikës dhe ekonomisë globale. “Kina sot është një superfuqi botërore ekonomike dhe politike dhe si ekonomist do të thosha, që krahas aspektit kulturor që ka gjuha kineze, mësimi i saj nga studentët shqiptarë do t’u krijojë atyre mundësi më të shumta në tregun botëror të punës. Më vjen mirë që kjo gjuhë është përzgjedhur nga një sërë studentësh dhe jam i sigurt që do të zgjidhet si gjuhë nga akoma më shumë persona gjatë viteve në vijim”,– tha Kule. Në fjalën e tij, ambasadori i Republikës Popullore të Kinës në Shqipëri, deklaroi se hapja e seksionit të Gjuhës Kineze në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja në Universitetin e Tiranës është një hap që duhej ndërmarrë prej kohësh. Seksioni i Gjuhës Kineze në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja është hapur me ndërmjetësimin e Rektoratit të Universitetit të Tiranës dhe Ambasadës së Republikës Popullore të Kinës në Tiranë. Në këtë seksion, ku jep mësim pedagogia e ardhur nga Kina, studiojnë 16 studentë.
3 Shkurt 2010