E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rregullorja e re, studentët e UT mund të përmirësojnë 3-4 nota në fund të studimeve

Në fund të një viti akademik studentët do të kenë të drejtë të përmirësojnë dy nota. Nisma e re është ndërmarrë nga Këshilli Studentor i Universitetit të Tiranës
Jonida Tashi

Studentët e Universitetit të Tiranës mund të përmirësojnë tre ose katër nota në përfundim të ciklit të parë të studimeve. Kjo është një praktikë e re për studentët që ndjekin studimet e larta pranë tetë fakulteteve të Universitetit të Tiranës (UT), pasi nuk është zbatuar në vitet e mëparshme të studimit. Lajmi bëhet i ditur nga Këshilli Studentor i këtij Universiteti, i cili shpjegon se një e re në rregulloren e UT-së, është e drejta e studentëve që në fund të studimeve të ciklit të parë të kenë mundësi të bëjnë jo vetëm një përmirësim note, por të përmirësojnë aq lëndë sa vite ka zgjatur cikli i parë i studimeve.
Provimet
Kështu, studentët e Fakultetit të Ekonomisë dhe të Drejtësisë do të kenë mundësinë që të përmirësojnë deri në katër nota, për arsye se ende në këto dy fakultete, pavarësisht futjes së procesit të Bolonjës, studimet e ciklit të parë zgjasin katër vjet. Ndërsa studentët e fakulteteve të tjera të UT-së, ku studimet e ciklit të parë realizohen sipas Bolonjës me cikël 3-vjeçar, kanë mundësi që në fund të studimeve të japin deri në tre provime për përmirësim note. Gjithashtu, Këshilli Studentor i Universitetit të Tiranës bën të ditur se në fund të një viti akademik të gjithë studentët do të kenë të drejtën të përmirësojnë dy nota që ju korrespondojnë lëndëve të marra gjatë atij viti.
Nisma
Anëtarët e Këshillit Studentor shpjegojnë se është dashur një kohë e gjatë për hartimin, diskutimin dhe miratimin e projektit përfundimtar në Senatin Akademik të Universitetit si dhe për të marrë aprovimin edhe të Ministrisë së Arsimit. Gjithsesi, sipas tyre, ky proces po kurorëzohet dhe ka filluar puna për një proces tjetër normë-krijues po aq të rëndësishëm sa i pari. Duke qenë se në rregullore sanksionohet shumica e të drejtave të studentëve, përfaqësuesit studentorë në Senatin e Universitetit dhe Këshilli Studentor i Universitetit kanë filluar të punojnë, bazuar në modelet universitare perëndimore, për të paraqitur kërkesat e tyre. Duke ju hedhur një vështrim këtyre kërkesave, në thelb të përcaktuara, studentët e Këshillit Studentor kanë arritur në konkluzionin se rregullorja e re e Universitetit të Tiranës do të jetë një akt në shërbim të interesave të drejtë të studentëve.

Afati i studimeve në Universitetin e Tiranës
Afati i studimeve universitare në Universitetin e Tiranës në sistemin me shkëputje nga puna, nuk është më i vogël se 3 vjet. Në sistemin pa shkëputje nga puna, këto studime zgjasin një vit më shumë se në degën përkatëse të sistemit me shkëputje nga puna. Afati maksimal i përfundimit të studimeve të plota universitare në Universitetin e Tiranës është deri në dyfishin e afatit të rregullt. Studentët që nuk arrijnë të përfundojnë studimet brenda këtij afati maksimal, humbasin të drejtën e vazhdimit të studimeve. Po ashtu, të drejtën e vazhdimit të studimeve e humbasin edhe studentët, të cilët shpallen përsëritës të të njëjtit vit akademik tri herë. Afati maksimal i mbrojtjes së diplomës, është deri në 3 vjet nga koha e përfundimit të studimeve të plota. Brenda këtij afati, studenti ka të drejtë të provohet për mbrojtje diplome deri në katër herë.

Ndërprerja e studimeve
Studenti mund të ndërpresë studimet në çdo kohë të vitit, për një afat jo me tepër se tre vjet dhe vetëm për këto raste: kur sëmuret për periudha të gjata, të dokumentuara me raport nga komisioni mjeko-ligjor, ku të jenë shprehur qartë diagnoza e rekomandimi; kur mbetet kryefamiljar, në raste fatkeqësish e në kushte ekonomike të vështira, të dokumentuar nga zyrat e pushtetit lokal; kur, për arsye ekonomike, detyrohet të punësohet jashtë vendit, i justifikuar me dokumentet përkatëse. Ndërprerja e studimeve për një vit bëhet me lejen e Dekanatit. Kurse për afate më të gjata (deri 3 vjet) bëhet me miratimin e Rektoratit, në bazë të propozimit të Dekanatit. Studenti paraqet kërkesën për leje në Dekanat si dhe dokumentet e tjera të nevojshme. Ndërprerja e studimeve është e rregullt kur ai merr miratimin e kërkesës së tij nga organi përkatës. Në të kundërt, studenti mban vetë përgjegjësi për pasojat e mundshme. Ndërprerja e studimeve me miratimin e organit përkatës quhet e justifikuar dhe nuk llogaritet në vitet e përsëritura. Çdo ndërprerje e pamiratuar e studimeve është e barasvlershme me mosparaqitjen në procesin mësimor dhe viti llogaritet në përsëritje. Rikthimi i studentit, pas ndërprerjes së justifikuar të studimeve bëhet vetëm në fillim të çdo semestri dhe jo më vonë se dy javë nga fillimi i tij.

3 Shkurt 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›