Kompania e parë e sigurimeve në Shqipëri feston 11-vjetorin dhe shpall strategjitë e reja
Qytetarët mund të përfitojnë nga kompania “Sigma Vienna Insurance Group” një pension pleqërie 5 vjet përpara moshës së pensionit shtetëror, si dhe pension invaliditeti para kësaj moshe. Deklarata u bë nga drejtuesi i kompanisë së sigurimeve, Qemal Disha, në një konferencë shtypi me rastin e 11-vjetorit të themelimit të “Sigma Vienna Insurance Group”. Në të njëjtën kohë, drejtuesi i “SIGMA”-s tha për mediat se qytetarët mund të përfitojnë në sajë të bashkëpunimit me këtë kompani edhe pagesë të menjëhershme të vlerës neto të llogarisë personale në Fondin e Pensioneve ku ata kanë vendosur të investojnë.
Strategjia e re e kompanisë “SIGMA” në fushën e pensioneve u ndërtua pasi në janar 2010 hyri në fuqi ligji “Për fondet e pensionit vullnetar”. Kompania “Sigma Vienna Insurance Group” ka sot paketën kontrolluese të institutit privat të pensioneve “Sigma IPP”, i pari i licencuar si i tillë. Drejtuesit e “Sigma”-s shpjegojnë se ligji i ri, që ka hyrë në fuqi vetëm pak ditë më parë, është një mundësi e mirë që duhet të shfrytëzohet nga shqiptarët. “Ky ligj parashikon lehtësira tatimore e fiskale që krijojnë mundësinë reale për të aderuar në Fondet e Pensionit Vullnetar, masa e gjerë e qytetarëve, individë e të punësuar”, shprehet Qemal Disha, drejtor i Përgjithshëm i “Sigma Vienna Insurance Group”. Sipas Dishës, tashmë është bërë e qartë jo vetëm për të moshuarit, se vetëm me pensionin nga skema e detyrueshme nuk sigurohet një nivel i mjaftueshëm jetese për moshën e tretë. “Duke kontribuar në fondin e pensionit vullnetar në shuma të vogla, sot dhe që në moshë të re, sigurohet një pension i mjaftueshëm për të ardhmen”, - vijon më tej Disha.
Drejtuesi i kompanisë së parë të sigurimeve në Shqipëri shprehet optimist se qytetarët shqiptarët do të përqafojnë edhe këtë risi, që u siguron atyre një pleqëri më cilësore. “Fondi ynë i pensioneve vullnetare, me një staf të kualifikuar të Shoqërisë së Administrimit, mbështetur në përvojën e deritanishme dhe veçanërisht të aksionerëve austriakë, të cilët kanë pensionet vullnetare veprimtari kryesore të aktivitetit të tyre në Europën Qendrore dhe Lindore, është garanci për të nesërmen e qytetarëve”, - përfundon Qemal Disha, drejtor i Përgjithshëm i “Sigma Vienna Insurance Group”.
Si funksionon Fondi i Pensioneve
Kontributi i bërë nga çdo anëtar i një fondi pensioni zbritet nga të ardhurat personale të tij për efekt tatimi. Kthimi i investimit, përfshirë fitimet nga kapitali prej investimeve të kryera me asetet e fondit të pensionit, nuk i nënshtrohet tatimit as për vetë fondin e pensionit dhe as për shoqërinë administruese.
Një nxitje reale për të kontribuar në një fond pensioni vullnetar është përcaktimi në këtë ligj se punëdhënësve u njihen shpenzim operativ dhe zbriten nga tatimi mbi fitimin, deri në 250 000 lekë kontribute në vit për çdo të punësuar. Ligji i ri, ndryshe nga i mëparshmi, nuk përjashton, por lejon të kontribuojnë për të punësuarit e tyre edhe institucionet shtetërore, institucionet e financuara nga Buxheti i Shtetit dhe institucionet e pavarura.
Dispozitat e ligjit rrisin garancitë ligjore dhe institucionale për kontributet në fondin e pensioni vullnetar. Agjencia për Mbikëqyrjen Financiare do të vëzhgojë nga afër funksionimin e fondeve të pensioneve, ndërsa do të krijohet institucioni i “Depozitarit”, që është një bankë e nivelit të dytë e miratuar nga AMF, me të cilën kompanitë lidhin një kontratë për shërbime kujdestarie, depozitimi dhe të besimit për asetet e fondit të pensionit. Krahas këtyre janë edhe një sërë dispozitash, plotësimi i kërkesave të cilave, lidhur me burimin e kapitaleve, integritetin profesional dhe personal të administratorëve të fondit dhe aksionerëve kontrollues të tij dhe veçanërisht ato që sigurojnë diversifikimin e investimeve, sjellin rritjen e kontributeve të bëra në fondin e pensionit.
Kush është “Sigma Viena Insurance Group”
Kompania e sigurimeve “Sigma Vienna Insurance Group” ka filluar të operojë në tregun vendas më 3 shkurt të vitit 1999. Aktiviteti ka nisur si kompani sigurimi Jo-Jete.
Një kompani që u ngrit më këmbë me fondet e 13 aksionerëve të vegjël dhe sot është pjesë e Viena Insurance Group, kompania më e madhe e sigurimeve në Austri, me një eksperiencë 200-vjeçare dhe me një shtrirje në 24 vende me 45 kompani.
Këtë rrugëtim e tregon drejtori i Përgjithshëm i “Sigma Vienna Insurance Group”, z. Qemal Disha, i cili konsiderohet si “babai” i tregut të sigurimeve.
Njëmbëdhjetë vjet më parë, kur filloi të hedhë dritë ideja për ngritjen e shoqërisë së parë private të sigurimeve në vend, jo të gjithë ishin entuziastë. Megjithatë, viti 1999 solli dhe krijimin e kushteve lehtësuese ligjore duke u kthyer në një realitetet në tregun shqiptar dhe rajonal. Ka qenë një fillim i vështirë, por mbas 2-3 vjetësh filluan dhe rezultatet e para pozitive.
Meritën për arritjet pozitive të Kompanisë, drejtori Disha ia delegon dhe një stafi të kualifikuar dhe profesionist, të cilët bënë që SIGMA jo vetëm të krijojë besim te klientët e saj, por të rritet dhe gjeografikisht me një prezencë rajonale në të gjitha qytetet e vendit, por dhe në Kosovë, duke u renditur në Kompaninë II në vend, me një bilanc të kënaqshëm.
Sot, “Sigma Vienna Insurance Goup” u shërben mbi 100 mijë klientë, të cilët meritojnë të parën përshëndetje. Me gjithë problematikën e tregut të sigurimeve në vend, për vitin 2009, objektivat e vëna nga ne dhe partnerët tanë janë realizuar më së miri. Në këtë treg të vështirë ku operojmë sot, e rëndësishme është të themi që kemi arritur të vendosim standarde të admirueshme në treg. Pagesa e dëmeve në kohë dhe shërbimi cilësor kanë qenë avantazhet që kanë bërë diferencimin nga kompanitë e tjera që operojnë në vend. Përparësi në politikën e Sigma-s, ka pasur gjithmonë klienti, të cilit i jepet garancia e një pagesë shumë të shpejtë në kohë dhe vlerë. Si një kompani lider, “Sigma Vienna Insurance Group” u rrit dhe eci përpara bashkë me ekonominë shqiptare, duke dëshmuar seriozitet, iniciativë, respekt ndaj klientit dhe marrëdhënie korrekte me shtetin.
3 Shkurt 2010