Provimet e lirimit, përcaktohet periudha e zhvillimit për klasën IX
Provimet do të zhvillohen më 12-26 qershor 2010. Semestri i dytë do të mbarojë më 11 qershor 2010
Jonida Tashi
Përcaktohet harku kohor brenda të cilit do të mbahen këtë vit Provimet e Lirimit për klasat e nënta. Periudha e zhvillimit të Provimeve të Lirimit do të jetë muaji qershor, ku do të alternohen datat e zhvillimit të testimeve me ato të Maturës Shtetërore. Kështu, sipas afateve të vendosura nga Ministria e Arsimit, provimet do të zhvillohen më 12-26 qershor 2010. Ndërsa semestri i dytë i dytë i mësimit për nxënësit e klasave të nënta do të përfundojë në datën 11 qershor. Për rrjedhojë, duke filluar që nga dita e nesërme e mbarimit të shkollës, nxënësit duhet të përgatiten për dy provimet tradicionale të Lirimit që janë: Gjuhë-Lexim dhe Matematikë, të cilat do të bëhen vetëm me shkrim. Ndonëse Ministria e Arsimit nuk e ka miratuar ende rregulloren e Provimeve të Lirimit, procedurat e zhvillimit të tyre, do të jenë të përafërta me ato të Maturës Shtetërore.
Procedurat
Përveç përafrimit të mënyrës së zhvillimit të Provimeve të Lirimit me ato të Maturës edhe struktura e tezës për provimet e klasës së nëntë do të jetë e ngjashme me atë të Maturës Shtetërore. Ndryshimi i vetëm qëndron në faktin se teza për Provimet e Lirimit do të jetë pak më e shkurtër si sasi pyetjesh. Ajo do të përmbajë 20 pyetje, nga të cilat mendohet që 10 të jenë me alternativa dhe 10 me zhvillim, pak a shumë sikurse teza e provimeve me zgjedhje që jepet në Maturën Shtetërore. Nxënësit e klasave të nënta do të testohen në dy lëndët tradicionale të provimeve të lirimit që janë: Gjuhë-Lexim dhe Matematikë. Provimet do të bëhen vetëm me shkrim. Dy veçantitë kryesore të përfshira në rregulloren e vjetshme për zhvillimin e Provimeve të Lirimit ishin: administrimi dhe vlerësimi i jashtëm i punimeve të nxënësve dhe punime të sekretuara.
Testet
Specialistët që do të merren me hartimin e testeve të provimeve të Lirimit nuk do të izolohen si në rastin e provimeve të Maturës. Po ashtu, edhe korrigjimi i testeve për Provimet e Lirimit nuk do të bëhet sipas praktikës së ndjekur për provimet e Maturës, në katër qendra të mëdha vlerësimi në të gjithë vendin, por në qendrat e ngritura në drejtoritë arsimore rajonale në çdo rreth. Ekipi i vlerësuesve të punimeve do të caktohet nga mësuesit më të mirë të rrethit, po nga drejtorisë arsimore rajonale përkatëse. Provimet e nxënësve, që i takojnë juridiksionit të një zyre arsimore rrethi dhe një drejtorie arsimore rajonale, do të mblidhen dhe do të korrigjohen në një qendër vlerësimi të përcaktuar prej Drejtorisë Arsimore Rajonale, sikurse edhe Matura Shtetërore. Ndryshimi i vetëm është se nëse në Maturën Shtetërore të gjitha punimet grumbullohen fillimisht në Tiranë dhe më pas shpërndahen në katër qendra, në Provimet e Lirimit, punimet e çdo rrethi mblidhen në qendrën e ngritur pranë tij.
Teza e njëjtë për të gjitha shkollat e vendit
Teza për Provimet e Lirimit do të jetë e njëjtë për të gjithë nxënësit e klasave të nënta në vend. Përveç përgatitjes së rregullores së re për Provimet e Lirimit, Agjencia e Vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve (AVA) do të hartojë edhe modelin e testit. Drejtuesit e AVA-s sqarojnë se është menduar që teza të jetë e njëjtë për të gjitha shkollat e vendit. Testi pas përgatitjes nga specialistët e AVA-s do të shpërndahet në drejtoritë arsimore rajonale dhe në zyrat e arsimit nëpër rrethe. Kurse mësuesit që do të angazhohen gjatë ditëve të zhvillimit të provimit, pra administratorët e provimit nuk do të jenë nga shkolla ku do të bëhet provimi, por do të këmbehen me njëri-tjetrin. Do të ketë një përgjegjës administrimi për çdo mjedis provimi, sikurse edhe në Maturën Shtetërore. Punimet e nxënësve do të jenë të sekretuara, me mënyra më të thjeshta se ato të Maturës Shtetërore. Megjithëse nuk do të përdoren barkode për sekretimin e testeve të provimit, mbi këto të fundit dhe në fletën e regjistrimit do të vendoset një numër regjistrimi i mbyllur, i cili do të hapet vetëm pasi të mbaroj korrigjimi. Pikët që nxënësit do të marrin në provim do të identifikohen nga numrat përkatës, që ata do të kenë në teste.
Provimet shtesë për shkollat e pakicave kombëtare
Në shkollat e pakicave kombëtare do të zhvillohet Provimi i Lirimit edhe për gjuhën amtare (Greke, Maqedonase)
Për shkollat e pakicave kombëtare greke, teza do të përgatitet nga Drejtoria Arsimore Rajonale e Gjirokastrës
Zyrat arsimore në Delvinë dhe Sarandë do ta tërheqin tezën në ditën e provimit në DAR-n e Gjirokastrës
Për shkollat e pakicës kombëtare maqedonase, teza do të përgatitet nga Drejtoria Arsimore Rajonale e Korçës
Për Institutin e nxënësve që nuk shikojnë, testet e Provimeve të Lirimit do të tërhiqen në AVA, nga drejtoria e institutit, një ditë para zhvillimit të provimit, për ta kthyer atë në BRAIL
Mbarëvajtja e procesit, ngrihen në mars komisionet e Provimeve të Lirimit
Komisioni i Provimeve të Lirimit pranë Drejtorisë Arsimore Rajonale ose Zyrës Arsimore (DAR/ZA) do të ngrihet deri më 15 mars dhe do të përbëhet nga pesë anëtarë. Kryetar i Komisionit është drejtori i DAR/ZA-së dhe anëtarë të tjerë janë specialistë të këtyre institucioneve. Komisioni Shkollor i Provimeve të Lirimit do të ngrihet deri më 20 mars dhe do të përbëhet nga 3-5 pesë anëtarë, në varësi të numrit të nxënësve të klasës së nëntë të çdo shkolle. Kryetari i këtij komisioni është drejtori i shkollës. Anëtarët e tjerë janë mësues të shkollës. Në këtë komision përfshihet edhe një nga zëvendësdrejtorët e shkollës, nëse ka të tillë.
Mblidhet Këshilli Kombëtar i Arsimit dhe Formimit Profesional
Tafaj dhe Ksera bien dakord për ndryshimet që do të pësojë ligji “Për Arsimin Profesional”
Mblidhet Këshilli Kombëtar i Arsimit dhe Formimit Profesional. Në mbledhjen e këtij Këshilli, ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj dhe ai i Punës, spiro Ksera kanë rënë dakord për ndryshimet që do të pësojë ligji “Për Arsimin Profesional”. Këshilli Kombëtar i Arsimit dhe Formimit Profesional, është mbledhur dje në Ministrinë e Arsimit, dhe është kryesuar nga ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj dhe ministri i Punës, Spiro Ksera. Ministri i Arsimit, pasi citoi agjendën e këtij takimi mbi ndryshimet në ligjin e “Arsimit Profesional”, vlerësoi se këto ndryshime shumë të rëndësishme, janë mekanizma që do të mundësojnë rritjen e fleksibilitetit në këndvështrimin financiar të shkollave të autonomisë, të shkollave profesionale dhe qendrave të formimit profesional. “Ndërkaq ka edhe disa ndryshime që do të diskutohen me grupet e interesit që kanë të bëjnë me nxitjen e vetëpunësimit të të rinjve që përfundojnë shkollat profesionale ose kurset e formimit profesional. Ligji i ri do të ketë ndryshime që synojnë të rrisin rolin e Këshillit, të rregullojnë raportet mes Këshillit dhe Agjencisë së Formimit Profesional dhe të rregullojnë edhe raportet e marrëdhëniet me partnerët socialë, dhe me pushtetin vendor”,- deklaroi Tafaj. Nga ana e tij, ministri i Punës, Spiro Ksera vlerësoi se formimi profesional është një hallkë shumë e rëndësishme për krijimin e vendeve të punës. Më pas në takim u diskutua në nivel ekspertësh mbi mekanizmat financiarë nxitës për punësimin e nxënësve që përfundojnë shkollat profesionale. Këshilli Kombëtar i Arsimit dhe Formimit Profesional është një organ kolegjial pranë ministrit të Arsimit dhe ministrit të Punës. Ai i sugjeron Këshillit të Ministrave politika për zhvillimin e sistemit të arsimit dhe formimit profesional.
3 Shkurt 2010