Pretenca; Vuri gjobë 50 mijë euro për dy familje të ngujuara, kërkohet dënimi me 2.4 vjet burg
Prokuroria e Krimeve të Rënda deklaron fajtor të pandehurin Erogen Brajoviç (Vaso), i akuzuar për akuzën e “shtrëngimit me anë të kanosjes ose dhunës për përfitim të pasurisë” dhe kërkon nga gjykata dënimin e tij me 2 vjet e 4 muaj burg dhe 800 mijë lekë gjobë. Ky i pandehur është duke u gjykuar në aplikim të gjykimit të shkurtuar, duke përfituar uljen e 1/3 së dënimit. 2 vjet e 4 muaj do të jetë dënimi përfundimtar i kërkuar nga prokurori i çështjes për shtetasin nga Shkodra me origjinë malazeze. Hetimi ndaj të pandehurit Erogen Brajoviç (Vaso) ka filluar në bazë të kallëzimit penal të bërë nga shtetasit Fiqiri Rexha dhe Gëzim Dragani. Në muajin korrik të vitit të kaluar, dosja e të pandehurit është regjistruar për procedimin penal nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për veprën penale të “shtrëngimit me anë të kanosjes ose dhunës për përfitim të pasurisë”, parashikuar nga neni 109/b/1 i Kodit Penal. Ndalimi i shtetasit Erogen Millan Brajoviç (Vaso), lindur dhe banues në lagjen “Salo Halili”, Shkodër u bë në bazë të urdhrit të ndalimit të lëshuar nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor, për arsye se më datë 08.11.2007, në ngarkim të këtij shtetasi është bërë kallëzim, pasi kishte kanosur për t’u ngujuar dy familje, pas një ngjarjeje (grindje e çastit) të ndodhur më datë 20.08.2007 në plazhin e Velipojës dhe konkretisht me shtetasit T. Rexha dhe L. Dragani. Erogen Brajoviçi, sipas akuzës, i ka kërkuar me anë të kanosjes shumën e 50.000 eurove shtetasit F. Rexha për t’i lënë ata të lirë nga ngujimi, duke konsumuar kështu dhe elementet e veprës penale për të cilën akuzohet. Nga burimet, i pandehuri kur u arrestua ka deklaruar në dhomat e paraburgimit të Drejtorisë së Policisë së Shkodrës, gjatë marrjes në pyetje, se kishte kërcënuar familjet e dy djemve, pasi ata e kishin rrahur pa asnjë arsye në mes të njerëzve në Velipojë.