Humb jetën 22-vjeçarja, familjarët akuza mjekëve Familjarët e një 22-vjeçareje që humbi dje jetën në spitalin e Vlorës akuzojnë mjekët për vdekjen e saj, ndërsa priten rezultatet nga mjekësia ligjore,
Familjarët e një 22-vjeçareje që humbi dje jetën në spitalin e Vlorës akuzojnë mjekët për vdekjen e saj, ndërsa priten rezultatet nga mjekësia ligjore, që do të zbardhin të vërtetën e kësaj ngjarjeje. Gjithashtu, bëhet e ditur se nga Prokuroria e qytetit bregdetar kanë nisur hetimet për zbardhjen e këtij rasti. Sipas burimeve zyrtare nga Vlora, Rajmonda Bleta ka ndërruar jetë vetëm 12 orë pas shtrimit në spitalin e Vlorës. E reja ka pasur temperaturë të lartë dhe mjekët e kanë shtruar atë menjëherë, ndërsa e kanë mbajtur nën vëzhgim, duke e kuruar me antibiotik e serume për të stabilizuar gjendjen e keqe në të cilën ndodhej. Por, për familjarët e Bletës ka qenë mjekimi i gabuar që ka çuar në këtë vdekje. Nga ana tjetër, mjekët deklarojnë se do të presin përfundimin e autopsisë për të përcaktuar shkaqet e vdekjes. Do jenë ekspertë nga Mjekësia Ligjore që do shqyrtojnë rastin, duke bërë autopsinë e 22-vjeçares, nga ku pritet të dalin shkaqet reale që kanë çuar në vdekjen e saj. Mësohet se e reja ka kryer një abort në muajin janar, por gjithsesi gjithçka do analizohet nga ekipi mjekësor, drejtuesit e spitalit dhe njëkohësisht edhe nga prokuroria që ka nisur hetimet. Gjatë gjithë ditës së djeshme, familjarët kërkuan me ngulm të dinë shkaqet që çuan në humbjen e vajzës së tyre, duke mos kursyer akuzuat për bluzat e bardha, që sipas tyre, kanë qenë neglizhentë dhe të papërgjegjshëm, që e kanë diagnostikuar gabim Rajmonda Bletën.
Familjarët
Familjarët e vajzës 22-vjeçare shprehen se mjekët asnjëherë nuk patën një diagnozë të saktë në lidhje me shkaqet që çuan në vdekjen e saj. Ata akuzojnë bluzat e bardha për humbjen e jetës së Rajmonda Bletës dhe shpjegojnë se ka qenë neglizhencë e tyre dhe mosdiagnostikimi i duhur i pacientes që ka çuar në vdekjen e saj. Sipas bashkëshortit të saj, Ramadan Bleta, i cili i ka ndenjur pranë në spital, gjendja e saj nuk ishte e rëndë. “Ajo kishte temperaturë 37, 38, 39 gradë, - shpjegon ai, - dhe nuk i zbriste, por nuk ishte shumë rëndë”. “Mjekja më tha ta shtroja në spital dhe kështu bëra. Fillimisht i bënë një analginë dhe më tej e futën në serum. Analgina nuk ia ndryshoi aspak gjendjen, por nisën t’i hidhnin ilaç edhe nëpërmjet serumit dhe kështu u stabilizua disi temperatura, duke filluar të bjerë. Por rreth orës 18:00, ajo pati sërish një ngritje të saj, e cila i shkoi 41 dhe mjeku i bëri një gjilpërë në damar, tek krahu. Nuk më shpjegoi çfarë ishte, por më tha se do ta qetësonte dhe do ta vinte në gjumë”, - rrëfen bashkëshorti i viktimës. Duke shtuar se pas kësaj, “ajo nuk reagoi më fare, madje temperatura iu ul në 36 dhe u bë shumë keq”. “Thirra mjekun, por më kot, s’më jepte shpjegim. Kështu e çuan në reanimacion dhe rreth orës 12 të natës, ajo ndërroi jetë”, - tha bashkëshorti.
Mjekët
Nga ana tjetër, kreu i spitalit rajonal të Vlorës, Luter Nuraj, ka shpjeguar se është vënë menjëherë në dijeni për rastin. “Kam bllokuar kartelën e pacientes dhe kam bërë menjëherë mbledhje me shefat e çdo reparti për të analizuar rastin. Pacientja ka ardhur në gjendje febrile, por pas një temperature mund të ketë shumë shkaqe”, - tha ai. Ai shtoi se pritet mjeku ligjor që të japë verdiktin mbi shkakun e vdekjes së saj, si edhe prokuroria. “Gjithsesi për këtë rast, - tha ai, - është në dijeni edhe Ministria e Shëndetësisë”. “Ne presim përfundimin e autopsisë që të nxjerrim rezultatet për shkaqet e vdekjes. Diagnozë të saktë nuk ka, përveçse ka qenë i evidentueshëm një infeksion i bajameve e gjendja febrile, pra temperatura e lartë që pacientja ka pasur. Përveç faktit që është e dhimbshme se vajza ishte vetëm 22 vjeç, është dhe e çuditshme sesi ndërroi jetë në një kohë kaq të shkurtër. Por ne do ta analizojmë me shumë kujdes këtë rast”, - përfundoi ai.