Pretenca; Akuzohen për vrasje, 34 vjet burg për pjesëtarët e familjes Zaka
Deklarohen fajtorë dhe kërkohet dënimi me 34 vjet burg në total për pjesëtarët e së njëjtës familje, të cilët akuzohen për përleshjen me thika të 2 shkurtit të vitit 2008 mes dy familjeve Zaka dhe Oshafi. Pjesëtarët e dy familjeve, në grindje për shkak të një divorci, akuzohen se tentuan të vrasin njëri-tjetrin gjatë përleshjes me thika. Gjatë paraqitjes së konkluzioneve përfundimtare, prokurori kërkoi dënimin me nga 5 vjet burg për të pandehurit Izmir e Nertil Zaka, dhe nga 12 vjet burg për të pandehurit Bledar e Armand Zaka. Sipas akuzës, mosmarrëveshja e ka zanafillën në fillim të vitit 2007 kur një çift bashkëshortësh, konkretisht djali i familjes Zaka dhe nusja e tij nga familja Oshafi, patën një keqkuptim mes tyre për shkak se nuk po arrinin të lindnin fëmijë. Kjo situatë nuk zgjati shumë dhe çifti i bashkëshortëve përfundoi në divorc, por historia nuk mbyllet këtu. Sipas hetimeve të Prokurorisë së Tiranës, mosmarrëveshjet që sollën përleshjen masive me thika mes dy familjeve, lindën pikërisht pas divorcit të dy bashkëshortëve, të cilët bashkë me prindërit e tyre, sipas hetimit, fajësonin njëri-tjetrin për gjithçka kishte ndodhur. Vajza e familjes Oshafi dhe veçanërisht nëna e saj, fajësonte djalin e familjes Zaka për faktin se gruaja nuk kishte lindur fëmijë. Pas këtyre pretendimeve që duket se kanë vazhduar në kohë, sipas hetimeve, në ditët e para të muajit shkurt 2008, dy familjet patën një përleshje me thika mes tyre, çka u bë shkak për pesë të plagosur rëndë, të cilët përfunduan në Spitalin Ushtarak.