E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zjarr, e moshuara kërkoi ndihmë nga një banore para asfiksimit



Një e moshuar 72-vjeçare ku humbur jetën, pasi në banesën e saj ka rënë një zjarr i madh, si pasojë e shpërthimit të një furnele ngrohjeje me gaz. Ngjarja ndodhi në pallatin 6-katësh “Inert”, në rrugën “Margarita Tutulani”, në mëngjesin e ditës së djeshme. Sipas burimeve nga policia, viktima është Hasime Hoxha. Ajo jetonte me qira në banesë dhe ishte e paralizuar. Për rreth 1 orë e 30 minuta, forcat e shpëtimit kanë luftuar me flakët, duke arritur që t’i lokalizojnë dhe më pas shuajnë ato. Tymi i madh brenda pallatit i ka vështirësuar punën zjarrfikësve, të cilët thirrën për ndihmë edhe forcat RENEA. Ata shpëtuan disa banorë që gjendeshin në pallat, mes tyre edhe një fëmijë 4-vjeçar. Sipas dëshmive në vendngjarje, mësohet se e fundit që ka komunikuar me viktimën para se të asfiksohej nga shpërthimi i furnelës me gaz, teksa kërkonte ndihmë nga dritarja e banesës, ka qenë një banore e të njëjtit kat me të. “Kishte nxjerrë dorën në dritare dhe po më kërkonte që ta ndihmoja. Ajo po më thoshte: “Më nxirr që këtej se po vdes, nuk po rri dot”. Po çfarë të bëj, - i thashë, - më jep çelësin që të hap derën. Nuk të ndihmoj dot kështu. “Si të ta jap çelësin? Nuk mundem të lëviz. Më nxirr që këtej se nuk po rri dot. Është shumë nxehtë”, - më tha ajo. Isha me fëmijë të vogël, tymi po më futej në shtëpi, nuk arrita të bëja gjë. Dola jashtë”, - u shpreh e tronditur banorja e pallatit, që kishte folur për herë të fundit me viktimën.

Zjarri

Zjarri ka rënë rreth orës 09:50 të ditës së djeshme. Banorët e pallatit kanë parë që të dilte tym nga banesa në katin e tretë, ndërkohë që pas pak minutash vëmendjen ua ka tërhequr një shpërthim i ndodhur brenda në hyrje. “Në fillim vëmendjen na e tërhoqi tymi që po dilte nga kati i tretë, banesa dukej që kishte marrë flakë. Pasi kanë kaluar rreth 15 minuta, më pas kemi dëgjuar një shpërthim nga brenda, i cili theu xhamat e ballkonit”, - u shpreh një banor i pallatit. Kjo ka alarmuar njerëzit, të cilët janë përpjekur që të ngjiten në katin e tretë, për t’u futur brenda banesës. Por, një gjë e tillë ka qenë e pamundur, për shkak të tymit që ishte përhapur brenda dhe përreth pallatit. “Gjëja e parë që bëmë ishte që të ulnim automatët e dritave. Më pas lajmëruam zjarrfikësit”, - u shpreh një banor tjetër.

Forcat e shpëtimit

Me gjithë ndërhyrjen e zjarrfikësve, zjarri ka përfshirë të gjithë banesën, ndërsa tymi e ka vështirësuar punën e tyre. Është dashur që në ndihmë të tyre të vinin edhe forcat RENEA, të cilat kanë ndihmuar në nxjerrjen e banorëve nga pallati. Një problem shqetësues për ta ka qenë fakti se në pallat mungonte sistemi i ajrimit, i cili do të bënte të mundur që të dilte tymi i shumtë dhe do të lejonte kështu forcat e shpëtimit të ngjiteshin në katin e tretë dhe të futeshin brenda. Hyrja në të cilën ra zjarri nuk kishte baxha, dalje për në tarracën e pallatit, gjë që do të bënte të mundur që të dilte tymi i shumtë. Zjarrfikësit dhe policia e gjetën zgjidhjen, duke hipur lart në tarracën e pallatit tetëkatësh, nëpërmjet baxhasë së hyrjes tjetër dhe duke hapur një çarje, e cila do të mundësonte daljen e tymit. Pas disa minutash, tymi ka dalë paksa nga brenda pallatit, ndërsa zjarrfikësit janë ngjitur sërish me vështirësi nëpërmjet shkallëve të një gjerësie rreth 1 m deri tek kati ku ra zjarri. Ata kanë shqyer derën, por pa mundur që të futen, për shkak të flakëve. Është dashur që të përdoret uji për t’i shuar ato. Nga ana tjetër, punonjësit e RENEA-s janë ngjitur me shkallë nëpërmjet zjarrfikëses në hyrjen e pallatit. Për ta ka qenë e vështirë puna, për shkak të tymit të shumtë dhe nxehtësisë që i pengonte. Por ata arritën që të shpëtonin disa persona, mes tyre edhe një fëmijë katër vjeç. Ndërsa 72-vjeçarja nuk ka mundur të shpëtojë, pasi është asfiksuar. Në ndihmë të tyre kanë ardhur edhe mjete të tjera dhe shuarja e flakëve është bërë e mundur, pas një kohe prej rreth 1 orë e 30 minuta.

Viktima

Trupi i viktimës 72-vjeçare Hasime Hoxha është nxjerrë nga shtëpia rreth orës 12:40 dhe është dërguar për në morgun e qytetit. E moshuara kishte disa kohë që ishte e paralizuar, gjë që ka ndikuar në vdekjen e saj, pasi ajo nuk mund të lëvizte. Sipas banorëve të pallatit, ajo jetonte me qira në këtë shtëpi së bashku me tre mbesat e saj. Viktima ndodhej vetëm në shtëpi në momentin që kanë rënë flakët dhe ka shpërthyer bombula. Ajo nuk ka mundur që të dalë dot me gjithë përpjekjet e bëra.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›