Dëshmia Bashollari: Ziso më tregoi për rrëmbimin nga SHIK-u
Ish-efektivë të SHIK-ut dhe oficerë aktualë të SHISH janë paraqitur dje në Gjykatën e Krimeve të Rënda për të dëshmuar për rrëmbimin e biznesmenit shqiptaro-maqedonas Remzi Hoxha, Ziso Kristopulli dhe Avdyl Loshaj. Gjithashtu, i pranishëm si dëshmitar ka qenë edhe një mik fëmijërie i Ziso Kristopullit, i njohur edhe i të pandehurit Avni Koldashi, gazetari Xhevdet Bashollari. Ky i fundit, gjatë dëshmisë së tij rrëfeu me detaje gjithçka i kishte deklaruar Ziso Kristopulli rreth rrëmbimit nga SHIK-u, ku e çuan, kush e mori nga Saranda në Vain të Lezhës, si dhe trajtimi që i ishte bërë prej shik-asve. Sipas tij, Ziso i kishte thënë se kishte marrë pjesë në shoqërim edhe Avni Koldashi, që sipas tij e kishte trajtuar mirë, ndërkohë që sapo kishte ikur Koldashi, disa të tjerë i kishin mbuluar fytyrën me thes, në mënyrë që mos shikonte rrugën ku do ta dërgonin. Para togave të zeza doli edhe ish-inspektori i Komisariatit nr. 3, Zeograf Çala, i cili mbante këtë detyrë në kohën kur u rrëmbye Remzi Hoxha, si dhe mbulonte zonën ku punonte biznesmeni i zhdukur. Gjatë dëshmisë rezultoi se Çala ka qenë i pandehur si bashkëpunëtor në rrëmbim dhe në adresë të tij ka pasur një masë sigurie, pasi sipas prokurorisë, nuk kishte bashkëpunuar për t'i dhënë informacion organit të akuzës mbi të rrëmbyerin Hoxha. Por, gjatë dëshmisë së tij, Çala i tha gjykatës se nuk dinte asgjë për Remzi Hoxhën dhe ndaj nuk kishte bashkëpunuar, pasi gjatë asaj kohe, ai kishte probleme familjare dhe nuk mundej t'ia komunikonte prokurorisë këtë çështje. I pranishëm si dëshmitar ka qenë edhe ish-shefi i Komisariatit nr. 3, Jani Naçi, i cili deklaroi se ka zbatuar procedurat në atë kohë, por që nuk mbante mend më tepër rreth çështjes. Jani Naçi dëshmoi para togave të zeza se me t’u vënë në dijeni të ngjarjes së rëndë, kishte nisur verifikimet e posaçme. Ish-shefi i Komisariatit nr. 3 dëshmoi se drejtues të Policisë Rrugore në atë kohë kishin konfirmuar zyrtarisht se targa e makinës me të cilën ishte rrëmbyer Remzi Hoxha nuk ishte hedhur fare në qarkullim. Dëshmitarët e tjerë të procesit të djeshëm ishin dhe dy ish-inspektorë të SHIK-ut, Uljan Elezi dhe Lefter Muhollari, të cilët kanë deklaruar se nuk kishin dijeni rreth asaj që kishte ndodhur. Madje, për hedhjen e Loshajt nga dritarja kishin dëgjuar, por duke qenë drejtori policie aty ku ishte SHIK-u, menduan se kishte ndodhur në qelitë e policisë. Po dje, gjykata dëgjoi me dyer të mbyllura dëshminë e ish-punonjësit të SHIK-ut, Ismet Saliu, e cila zgjati vetëm 5 minuta dhe që pati shpjegime rreth funksionimit dhe teknikave të SHISH. Avokatët qenë kundër zhvillimit të dëshmisë me dyer të mbyllura, duke sjellë në kujtesë të gjykatës rastin e Fatos Klosit, që u bë me dyer të mbyllura dhe nuk pati asnjë gjë konkrete dhe të fshehtë.