E Hënë, 2 Nëntor 2026

Ambasada amerikane, kënd kulture në bibliotekën e qytetit të Kukësit

26/05/2005  Dje u nënshkrua memorandumi

KUKES – Hapet këndi i tretë i kulturës amerikane në Shqipëri. Pas Tiranës dhe Vlorës, kultura, informacionet dhe letërsia amerikane do të kenë në Kukës këndin e tyre. Ambasada e SHBA nënshkroi një memorandum mirëkuptimi me Bibliotekën Publike të Kukësit për hapjen e Këndit të tretë Amerikan në Shqipëri, në mjediset e kësaj biblioteke.

Gregory Kay, drejtor i Zyrës së Marrëdhënieve Publike nënshkroi në emër të ambasadës së SHBA dhe Osman Elezi, kryetar i Bashkisë, nënshkroi në emër të Bashkisë Kukës.

Këndi Amerikan do të ofrojë një gamë të gjerë informacioni mbi Shtetet e Bashkuara, qeverinë, kulturën dhe letërsinë e saj. Këndi Amerikan do të jetë i hapur për njerëz të të gjitha moshave dhe profesioneve. Ai do të ofrojë një dritare mbi shumë anë të jetës amerikane, si dhe do të shërbejë si një vend për studime intelektuale dhe rrjedhjen e lirë të informacionit.

Në bazë të Memorandumit, ambasada e SHBA, me fonde të Departamentit të Shtetit, do të furnizojë mobilimin dhe një arkiv librash, periodikësh dhe një koleksion videokasetash që do të vihen në dispozicion të një shumëllojshmërie vizitorësh, përfshi studiues, mësues, studentë dhe publikun e gjerë. Materialet në Këndin Amerikan do të jenë koleksionet më të fundit nga një numër fushash që përfshijnë arsimin, biznesin, ekonominë, letërsinë dhe gazetarinë. Të gjitha materialet do të jenë të ekspozuara në një fond të hapur. Këndi gjithashtu do të ofrojë mundësi lidhjeje me internet për të gjithë vizitorët për qëllime kërkimi dhe akademike.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›