E Hënë, 2 Nëntor 2026

Breshka e ujit, reagime të zemëruara të biologëve

26/05/2005  Agjencia e lajmeve “Rojters” i referohet gazetës “Metropol”

TIRANE - “Shkëmbimi i një breshke, që peshonte 806 kg, përkundrejt një “Mercedesi” të përdorur, që ka bërë një peshkatar shqiptar me një tregtar italian, duket se ka nxehur shumë biologët”.

Kështu shkruan agjencia e lajmeve “Rojters”, duke cituar artikullin e gazetës “Metropol”, botuar më 25 Maj 2004.

Agjencia “Rojters”, duke cituar “Metropol”, bënë të ditur se “Hysni Xhemali kishte dalë për peshkim në ujërat shqiptare të Detit Jon, ashtu siç bënte prej 10 vitesh, kur kishte parë një gjë të zezë në rrjetë”. Xhemali u shpreh se “atij iu afrua menjëherë një tregtar italian, por ai refuzoi të bënte marrëveshje me të. Por ai e rikonsideroi ofertën, kur iu ofrua një ‘Mercedes’ ‘pothuajse i ri’, dhe breshka i dërgua në kopshtin zoologjik të Romës”.

Marrëveshja ka ngjallur reagimin e dëshpëruar të drejtorit të Muzeut të Shkencës së Natyrës të Shqipërisë, Idriz Haxhiu, i cili personalisht, në kuadër të një programi, që po mbështetet nga Kombet e Bashkuara, ka çliruar 450 breshka, që kishin ngecur në rrjetat e peshkimit, shkruan me tej “Rojters”.

Haxhiu i ka deklaruar dje agjencisë “Rojters” nga plazhi i Patokut, në veri të Shqipërisë, ndërsa ishte duke liruar shtatë breshka uji, se breshka gjigande mendohet të ishte 'dermochelys coriacea' apo një breshkë oqeanike.

“Një breshkë oqeanike është një gjë shumë e rrallë dhe do të ishte diçka e jashtëzakonshme për Shqipërinë”, i ka thënë Haxhiu. “E vetmja breshkë e kapur ndonjëherë që peshon 820 kg”, shtoi ai.

Breshka oqeanike, e veçantë për llojin e guackës së butë që ka, është breshka më e madhe që gjallon aktualisht, mbi 2 metra e gjerë dhe e gjatë. Më shumë për vezët e saj sesa për mishin, ajo është përfshirë në listën e specieve që janë shkatërruar më shumë nga rrjetat e peshkimit, të cilave nuk mund t’i shpëtojë dhe asfiksohen nga mbeturinat plastike të detit.

Kërcënimi i vazdhueshëm dhe rreziku i shfarrosjes së tyre ka bërë që këto breshka të mbrohen nga Konventa Ndërkombëtare për Tregtimin e Specieve në Rrezik (CITES), të cilën si Shqipëria ashtu edhe Italia e kanë nënshkruar.

Haxhiu i deklaroi agjencisë së lajmeve “Rojters” se “specia e kapur nga Xhemali mund të ketë qenë drejtuar për në ujërat e ëmbla të lagunës së lashtë greko-romane të qytetit të Butrinit, përmes kanalit, duke ardhur nga ishulli grek i Korfuzit”.

Nuk është hera e parë që një agjenci e huaj lajmesh i referohet gazetës “Metropol” për të pasqyruar ngjarjet më të fundit dhe të rëndësishme nga Shqipëria.

Përgatiti:

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›