E Diel, 1 Nëntor 2026

Ambasada bullgare fillon me dhënien e vizave qytetarëve të Kosovës

Autori i Lajmit: red.
Që nga dita e sotme, në ambasadën bullgare në Prishtinë, do të fillojë pajisja me viza e qytetarëve të Kosovës, të cilët duan të vizitojnë Bullgarinë. Kështu u bë e ditur pas takimeve të ndara të ministrit të Punëve të Brendshme, Zenun Pajaziti dhe ministres së Drejtësisë, Nekibe Kelmendi, me zëvendësministrin e Punëve të Jashtme të Bullgarisë, Milen Keremedshiev. Zëvendësministri bullgar tha se dhënia e vizave do të jetë në përputhje me kërkesat e Bashkimit Evropian, përkatësisht me çmimet e vizave të shteteve anëtare të BE së. “Jemi në proces të akreditimit të dy agjencive turistike, të cilat kanë shprehur interesin për dërgimin e turistëve në Bullgari. Mendoj se nga viti i ardhshëm do të jetë i mundur aplikimi i drejtpërdrejtë për viza në Bullgari. Vizat kushtojnë 35 euro, për ata që mbajnë ende pasaporta të ish- Jugosllavisë, sepse ekziston një marrëveshje e nënshkruar mes Bashkimit Evropian dhe Serbisë, për lehtësimin e vizave për shtetet anëtare”, - ka thënë ai. Nga ana e saj, ministrja e Drejtësisë, Nekibe Kelmendi, theksoi bashkëpunimin e vendit tonë me Bullgarinë në fusha të ndryshme. Zëvendësministri i Jashtëm bullgar theksoi se do të prezantojë edhe një listë me marrëveshje të dyanshme, të cilat duhet të nënshkruhen, me qëllim të krijimit të marrëdhënieve që janë në pajtueshmëri me standardet e Bashkimit Evropian.
Ky lajm është publikuar: 28/05/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›