E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjermania vendos zgjatjen e mandatit të trupave të saj në Kosovë

Autori i Lajmit: red.
“Në se nuk arrijmë ta bëjmë një gjë të tillë, atëherë e gjithë barra e garantimit të sigurisë në Kosovë do të bjerë mbi KFOR-in. Dhe këtë nuk mund dhe nuk duhet ta lejojmë, kjo nuk është në interes të NATO-s”, - tha shefi i diplomacisë gjermane

Në Berlin përfundoi të martën takimi pranveror i Asamblesë Parlamentare të NATO-s. Një nga temat kryesore të debateve ishte e ardhmja e Ballkanit dhe siguria në Kosovë. Para asamblesë folën edhe ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Frank Valter Shtajnmajer, dhe Sekretari i Përgjithshëm, Jap de Hop Shefer. Në Berlin gjithashtu kabineti shprehu vullnetin për ta zgjatur edhe me një vit mandatin e trupave gjermane në Kosovë.
Frank Valter Shtajnmajer nënvizoi në fjalën e tij domosdoshmërinë e instalimit të EULEX-it në Kosovë. “Në se nuk arrijmë ta bëjmë një gjë të tillë, atëherë e gjithë barra e garantimit të sigurisë në Kosovë do të bjerë mbi KFOR-in. Dhe këtë nuk mund dhe nuk duhet ta lejojmë, kjo nuk është në interes të NATO-s”, - tha shefi i diplomacisë gjermane në fjalën e tij para Asamblesë Parlamentare të NATO-s. Fjalimi i zëvendëskancelarit gjerman ishte i fundit i sesionit të pranverës së Asamblesë që u hap të premten në Berlin. Që Aleanca e Mbrojtjes Veriatlantike do të dëshironte ta reduktonte sa më shpejt numrin e ushtarëve të saj në Kosovë, kjo u vu re edhe nga fjalimi i Jap de Hop Sheferit, i cili u bëri thirrje parlamentarëve të mbështesin procesin e instalimit të EULEX-it. “Duke pasur parasysh hyrjen në fuqi të Kushtetutës kosovare muajin e ardhshëm është e rëndësishme që të arrihen marrëveshje transparente mes BE-së dhe UNMIK-ut në fushën e policisë dhe ju kërkoj që ta mbështesni këtë përpjekje të institucioneve tona kryesore”, - tha holandezi Shefer.
Pak para se të përfundonte në Berlin seanca pranverore e Asamblesë Parlamentare të NATO-s, kabineti qeveritar i kancelares Angela Merkel, shprehu vullnetin për zgjatjen e mandatit të kontigjentit gjerman të KFOR-it. Prania e KFOR-it në Kosovë në këtë fazë është më se e domosdoshme, tha të mërkurën zëdhënësi i qeverisë gjermane, Ulrih Vilhelm. “Misioni ndërkombëtar i KFOR-it, përveç kësaj mbështet ndërtimin e strukturave demokratike dhe do të normalizojë kushtet jetësore për të gjithë banorët e Kosovës”, - tha ai më tej. Vendimi i zgjatjes së mandatit do të duhet të kalojë në parlamentin gjerman. Seanca e parë për këtë çështje do të jetë të enjten. Përveç grupit parlamentar të të majtëve, të cilët kërkojnë tërheqjen e menjëhershme të trupave nga Kosova, partitë e tjera e mbështesin këtë mision, por kanë dyshime për ligjshmërinë e tij, sidomos mbas zvarritjes së kalimit të kompetencave nga UNMIK-u tek EULEX-i.
Ministri gjerman i Punëve të Jashtme, Frank Valter Shtajnmajer, u mundua t ua heqë shqetësimin të martën, jo vetëm parlamentarëve të tij, por edhe atyre të vendeve anëtare të NATO-s, duke u shprehur optimist për suksesin e negociatave që po zhvillohen aktualisht me OKB-në.

Ky lajm është publikuar: 28/05/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›