Ambasada daneze: Tentuan të na vjedhin. Rifillojmë punën ditën e martë
Shumica e mediave të shkruara dhe vizive raportuan lajmin se ishte vjedhur ambasada daneze në Tiranë dhe kjo kishte vendosur që deri një njoftim të dytë do ndërpriste veprimtarinë e saj. Lajmi mbërriti në çdo redaksi nga ambasada suedeze, e cila ndodhet në të njëjtin ambient me atë të Danimarkës. Pas verifikimeve në polici u mësua se ishte vjedhur selia me dhunë duke shqyer derën dhe në inventar mungonte një kompjuter portativ. Dje pasdite për të njëjtën ngjarje që policia shqiptare apo Ministria e Jashtme nuk kanë reaguar ende zyrtarisht, nëpër redaksitë e mediave mbërriti një njoftim i vetë subjektit "viktimë", pra ambasadës daneze. Ja çfarë thuhet aty: "Për shkak të një numri raportimesh të gabuara në media, Ambasada e Mbretërisë së Danimarkës dëshiron të deklarojë se këtë javë, midis mbrëmjes së të enjtes dhe ditës së premte, ka pasur një përpjekje për të grabitur ambasadën. Policia daneze dhe ajo shqiptare janë duke bashkëpunuar ngushtësisht për hetimin e krimit. Ambasada ka marrë mbështetje të plotë nga të gjitha autoritetet përkatëse shqiptare për përballimin e këtij incidenti të pakëndshëm. Ambasada do të fillojë punë ditën e martë". Nga ana tjetër, policia e ka vlerësuar në maksimum ngjarjen. Duket se buja që pati jo edhe aq grabitja, por reagimi ekstrem i ambasadës suedeze në emër të homologëve danezë për të ndërprerë aktivitetin, deri në një njoftim të dytë, ka vënë në lëvizje të përshpejtuar strukturat e hetimit të policisë dhe prokurorisë. Kështu, sipas burimeve policore pas këqyrjes së vendngjarjes, mësohet se janë gjetur shumë shenja gishtash në dyert e selisë dhe në ambientet e brendshme të ambientit që ndodhet te një pallat në vendin e njohur në kryeqytet si, "Tre plepat". Nga grupi i hetimit mësohet se tani për tani dyshohet për një tentativë vjedhje adoleshentësh, të cilët duke ditur se kishin të bënin me një vend pune të huajsh, shpresonin se do të gjenin shuma parash apo objekte të shtrenjta. Dje burimet policore konfirmuan se vjedhja është bërë me dhunë dhe është vjedhur vetëm një kompjuter pune i tipit laptop. Mësohet se shenjat e gishtërinjve që janë gjetur në vendngjarje janë çuar në laboratorin e kriminalistikës në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë. Sot pritet që nga rezultatet të mësohet nëse autorët e ngjarjes janë kontingjent të policisë apo jo. Ndërkohë, janë marrë në pyetje mjaft persona që njihen si hajdutë "kronikë" në zonën që ndodhi ngjarja e rëndë për nga pasojat diplomatike.
Po.ho
Po.ho