Ambasada e Kosovës sistemohet në pallat
Prej disa javësh një flamur me ngjyrë blu, me stemën e shtetit të Kosovës në mes, valëvitet në ballkonin e katit të tretë të një pallati brenda rrethimit të bllokut të ambasadave në Tiranë. Është pikërisht përfaqësia diplomatike e Kosovës, që ka nisur punën në këto ambiente që administrohen nga Ministria e Jashtme. Kështu ka ndodhur edhe pse dikur, jo shumë larg në kohë, Kryeministri Sali Berisha, premtoi publikisht se Ambasada e Kosovës do vendosej në ambiente të rehatshme në “Vilën 6” në zonën e ish-bllokut në Tiranë. Por edhe pse prona e njohur, e kthyer dhe e hipotekuar e dikujt tjetër, me anë të pehlivanëve të zyrave të kthimit e kompensimit të pronave u fshi dhe godina apo “Vila 6” u restaurua, kosovarët, duken më të kujdesshëm kur bëhet fjalë për konflikte pronësie, nuk kanë nxituar të futen në ambiente. Për më tepër për pronën në fjalë ende nuk është shprehur gjykata, që ka nën shqyrtim një padi të bërë nga pronarët trashëgimtarë të “Vilës 6”.
“Vila 6”, jo vetëm lajm shqiptar
Historia e “Vilës 6” nuk është e njohur vetëm brenda kufijve zyrtarë. Edhe mediat kosovare herë pas herë janë marrë me këtë temë, të nxitur pikërisht prej nonsensit se përse shtetit të ri të Kosovës i ishte falur një godinë me probleme pronësie. Gazeta kosovare “Koha Ditore” i ka kushtuar një faqe këtij kazusi më 9 maj 2008 me titullin “Ambasada e kontestuar e Kosovës”. Veç shpjegimit të fakteve dhe problemeve të pronësisë,
“Koha Ditore” qartësonte edhe të gjitha problemet e pronësisë të godinës së caktuar të ishte përfaqësia e Kosovës në Tiranë. Gjithashtu e njëjta gazetë botonte edhe një letër që pronarët e truallit i kishin dërguar autoriteteve më të larta të Kosovës.
Duket këto publikime në të dyja anët e kufijve kanë frenuar krerët e shtetit të Kosovës të nxitohen dhe të pranojnë këtë dhuratë të papastër përsa i përket pronësisë. Kështu, gjatë vizitës së tij në qershor të vitit të shkuar në Tiranë, edhe pse ishte publikuar në axhendë, Kryeministri Hashim Thaçi nuk shkoi të priste shiritin e kësaj ambasade.
Historia e pronës
Ndërsa historia e “Vilës 6”, e pronësisë mbi të është edhe ajo një roman më vete. Kjo për faktin se ajo është refuzuar në disa raste të merret si ambasadë nga shtete të ndryshme evropiane. Dhe në të gjithë rastet shkak i vetëm ka qenë problemi i pronësisë. Ndërsa njerëzit që vazhdojnë ta vuajnë këtë përballje të pabarabartë me shtetin janë përfaqësues të familjeve Mirakaj - Resuli. Prona e tyre ishte shtetëzuar pasi komunistët morën pushtetin, ndërkohë që ndërtesa ishte e papërfunduar. Beteja për rimarrjen e pronës nis pas vitit 1990. Vetëm në vitin 2007 trashëgimtarët arrijnë të buzëqeshin, kur me anë të vendimit numër 137 të datës 02.07.2007 Komisioni Rajonal i Kthimit të Pronave, Tiranë ktheu në natyrë truallin me sipërfaqe 1511 metër/katror të “Vilës 6” dhe njëkohësisht njohu në favor të pronarëve të truallit të drejtën e parablerjes së godinës në privatizim. Ky vendim i Komisionit të Kthimit të Pronave është regjistruar në Zyrën Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në Tiranë (Hipotekë) në datën 4 janar 2008, në dokumentin hipotekor numër 3 të zonës kadastrale 8270. Por, menjëherë pas bërjes publik të lajmit të dhurimit të kësaj prone si ambasadë për Kosovën, Agjencia Qendrore e Kthimit të Pronave, me anë të vendimit 866 të datës 28.07.2008, një akt i nënshkruar nga ish-Kryetari i shkarkuar Tunxh Vatnikaj, e ka quajtur të pavlefshëm vendimin e njohjes së kësaj prone. Për këtë arsye, trashëgimtarët e kanë çuar çështjen në gjykatë dhe presin që ajo të shprehet. Pikërisht këtë fakt kanë respektuar duket edhe drejtuesit e shtetit të Kosovës, të cilët nuk janë nxituar të marrin për dhuratë një objekt me pronësi jo stabile.
Refuzimet
“Vila 6” ka një histori ta gjatë me ambasadat e huaja. Fillimisht, para se t’i jepej Kosovës, ajo i është dhënë Britanisë së Madhe. Por me të mësuar për problemet e pronësisë, diplomatët e shtetit të fuqishëm u tërhoqën. E njëjta histori është përsëritur edhe pasi shteti shqiptar i kërkoi atij rumun të vendoste ambasadën në këtë godinë. Për një kohë të gjatë ajo shërbeu si godinë e ambasadës së OSBE-së, dhe u lirua prej tyre menjëherë pas fitimit të titullit të pronësisë nga familjet Mirakaj dhe Resuli.