E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia e Kosovës riatdheson 38 romë

 

KUKES - Rikthehen romët nga policia e Kosovës. Plot 38 pjesëtarë të komunitetit rom janë “riatdhesuar” mbrëmjen e së shtunës nga Kosova në Kukës, nëpërmjet pikëkalimit kufitar të Morinit. Kontingjenti me 9 fëmijë e të mitur i është dorëzuar policisë kufitare të Kukësit, po ashtu edhe të rriturit, që në të shumtën e rasteve kanë pasur dokumente identifikimi me vete. Policia e Kosovës i ka pohuar asaj të Kukësit se shumica e të miturve dhe romëve të rritur, që janë dhe prindërit e të miturve, merreshin me lypje në rrugë e trotuare, veprim i ndaluar me ligj në Kosovë. Gjithashtu policia kosovare i ka parë si një kontingjent i rrezikuar fëmijët romë, por dhe si një mundësi për t’u marrë me punë të ndaluara. Romët para policisë shqiptare kanë deklaruar se në Kosovë merreshin me mbledhje hekurishtesh dhe ambalazhe të birrave dhe pijeve të gazuara, ndonëse flinin në strehët e pallateve dhe në çadra. Ata kishin hyrë muajt e fundit në Kosovë, pasi ishin nisur nga një fshat i Fierit. Pas grumbullimit në policinë e Kukësit, romët janë përcjellë për në Tiranë dhe nën kujdesin e një OJF-je. Hapja e Kosovës ka sjellë dhe një numër të madh të romëve që lëvizin nga Shqipëria në shtetin tjetër, ku mendonin se do të kishin mundësi më të mëdha për të mbijetuar. Nga Kukësi çdo ditë nisen disa furgonë me gra e burra rome në drejtim të Kosovës dhe rikthehen në mbrëmje, në një kamping të improvizuar me çadra në dalje të qytetit të Kukësit.              j.h

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›