E Diel, 1 Nëntor 2026

Oficeri në Afganistan, me simbolet kombëtare

 

BURREL/ HASAN PASHA

I riu matjan udhëton drejt Afganistanit me simbolet kombëtare shqiptare. Tri javë më parë Maringlen Toçi, 26 vjeç u bë pjesë e misionit të katërt të ushtarakëve shqiptarë, që angazhohen për sigurimin e rendit e qetësisë në shtetin e cilësuar si vatra e terrorizmit.
Toçi ka kryer studimet në degën e Historisë, në Fakultetin Histori-Filologji në Tiranë. Pas përfundimit të këtij fakulteti me rezultate të shkëlqyera konkurron për studime pasuniversitare në Universitetin Ushtarak, “Skënderbej”, studime që i përfundon në vitin 2006. Prindërit e tij thonë se ai u titullua oficer me gradën nëntoger dhe më pastaj u emërua në Brigadën e Reagimit të Shpejtë, në kompaninë e Rikonicionit. Deri këtu, gjithçka ishte normale për të riun Toçi. Jeta e Maringlenit rrjedh ndryshe pas 15 janarit të këtij viti. Ai dhe 111 ushtarakë të tjerë shqiptarë, oficerë, nënoficerë dhe ushtarë profesionistë nisen në drejtim të Afganistanit. Babai i Maringlenit, Hamit Toçi thotë se ka komunikuar herë pas here me të birin, i cili është ngarkuar me detyrën e sigurimit të rendit e qetësisë në qytetin Heart, sigurimin e objekteve të bazës ushtarake, patrullimin e shoqërimin e personaliteteve dhe sigurimin e autokolonave. Maringleni është komandat toge, por ndryshe nga bashkëkombasit e tij, ai ka marrë përsipër dhe misionin për të njohur ushtarakët e vendeve të tjera me kombin e tij. Si një patriot i thekur, djali burrelas ka siguruar para ikjes nga Shqipëria flamuj, buste të Skënderbeut e Nënë Terezës, qeleshe e veshje të krahinave shqiptare si dhe sende tradicionale të vendit tonë. “I kam marrë për t’ua dhuruar ushtarëve të shteteve të tjera, për t’i respektuar ata dhe për t’ju thënë se vendi ynë ka pasur figura mjaft të shquara”, është shprehur Maringleni, teksa njerëzit e afërm kanë komunikuar me të në telefon. Babai i Maringlenit, oficer karriere në policinë e shtetit, nëna dhe vëllai i tij flasin me mjaft pasion për njeriun e tyre të zemrës. “Mund të themi se Maringleni është drejtuesi më i ri që merr pjesë në një mision ushtarak paqeruajtës jashtë vendit”, thanë ata me mburrje. Hamiti thotë se herë pas here lidhet në telefon me djalin dhe shprehet se është krenar që ai dhe shokët e tij kontribuojnë për sigurinë e një vendi tjetër, siç është populli afgan. “Çdo ditë flasim dhe ndjekim problemet nëpërmjet telefonit, pasi shërbimi ka mjaft vështirësi”, sqaron babai i Maringlenit. Për ta, ankthi i misionit të të birit do të vazhdojë për muaj me radhë, derisa 26-vjeçari bashkë me shokët e tij të rikthehen në atdhe.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›