E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosova, për Barak Obamën, pavarësia është punë e kryer

 

Ambasadori amerikan në Beograd ka siguruar kosovarët dhe serbët se, çështja e statusit të Kosovës, për Presidentin Barak Obama është punë e kryer.Cameron Munter në një intervistë për gazetën e përditshme serbe, “Veçernje Novosti”, ka rikonfirmuar mbështetjen për formimin e shtetit të ri nga ana e Uashingtonit, por ka shtuar se edhe pse pavarësia e Kosovës tashmë është fakt, “ka ende shumë gjëra që duhet të bëjmë, për t’u siguruar se Kosova është shtet i suksesshëm, ashtu sikurse dëshirojmë që të jetë edhe Serbia”. Vetëm pak orë përpara kësaj interviste, në takimin e sigurisë ndërkombëtare të zhvilluar për të 45-ën herë në Mynih, zëvendëspresidenti amerikan, Xho Bajden është takuar me zëvendëskryeministrin rus, Sergei Ivanov, i cili ka kundërshtuar planet amerikane për mbrojtjen raketore dhe ka kritikuar ashpër mbështetjen e fortë për pavarësinë e Kosovës. Një ditë më parë  Bajden shpalli në këtë konferencë dëshirën e Shteteve të Bashkuara për të ndryshuar rrjedhën e politikës së Jashtme me diskutime diplomatike në përparësi mbi veprimet militare, përkundër politikës së zhvilluar deri më tani nga paraardhësi i Obamës, Xhorxh Bush. Rusia e mirëpriti këtë deklaratë duke shpresuar se kjo do të ndryshonte edhe qëndrimin e Obamës mbi zgjedhjet e politikës së jashtme të presidentit paraardhës, siç është rasti i Kosovës, për të cilën Rusia ka bërë një betejë të fortë për të kundërshtuar pavarësinë dhe njohjen në instancat ndërkombëtare. Por Bajden nuk dha asnjë shenjë se politika e jashtme do të ndryshonte për sa i përket qëndrimit për çështje të tilla. Xho Bajden, tha se ka ardhur koha të riparohet “rrëshqitja e rrezikshme” në marrëdhëniet amerikano-ruse. Ndërsa Ivanov e përshëndeti mesazhin e tij duke e cilësuar “shumë pozitive” thirrjen e tij për t’u dhënë një start të ri marrëdhënieve dypalëshe. Ndërkohë që Moska ka shprehur zemërim ndaj planeve amerikane për instalimin e një mburoje kundër raketave në Evropë dhe gjithashtu kundërshtime të ashpra ndaj mbështetjes së administratës Bush për pavarësinë e Kosovës, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian dënuan ndërhyrjen ushtarake ruse në Gjeorgji dhe njohjen nga Rusia të pavarësisë së dy territoreve separatiste gjeorgjiane. Edhe Bashkimi Evropian, edhe NATO janë shprehur në të njëjtën linjë me Shtetet e Bashkuara. Tashmë Serbia është e bindur se nuk e gëzon mbështetjen e NATO-s për të kërkuar ndryshime në atë që ajo konsideroi dje si çështjen më të rëndësishme të sigurisë në vend, Kosovën. “Serbia e ka humbur besimin te NATO-ja pas punës që aleancës e bën me Forcën e Sigurisë së Kosovës”, ka deklaruar ministri i Jashtëm serb, Vuk Jeremiç. “Humbja e besimit tonë në NATO-n është pasojë e rolit të saj në krijimin, trajnimin dhe formimin e të ashtuquajturës FSK”, ka thënë Jeremiç. “Kjo është shkelje e qartë e rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe për ne është e papranueshme”, ka shtuar ai por duke sqaruar se për momentin, marrëdhëniet e Beogradit janë më të afërta me Rusinë se me Shtetet e Bashkuara. “Me Uashingtonin kemi mospajtime mbi statusin e ardhshëm të Kosovës dhe ne po përpiqemi të bashkëpunojmë me SHBA-të sa më shumë që mundet për të gjitha çështjet tjera”, deklaroi për mediat shefi i diplomacisë serbe.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›