E Diel, 1 Nëntor 2026

Londër, në rrezik ekstradimi i agjentit sekret Ilir Kumbaro

 

Trazhgim Sokolaj

Ekstradimi nga Londra i një ish-agjenti të Shërbimit Sekret shqiptar, që po gjykohet në mungesë në Tiranë për rrëmbim e tortura me pasojë zhdukjen, duket në rrezik. Prej muajit tetor 2008, Gjykata e Londrës po i shtyn njëra pas tjetrës seancat gjyqësore pa marrë një vendim. Në Gjykatën e Krimeve të Rënda në Tiranë po vazhdon ndërkohë gjykimi për tre ish-zyrtarë të Shërbimit Sekret, të cilët janë të pranishëm në sallën ku po ballafaqohen provat dhe dëshmitë e mbledhura mbi zhdukjen e Remzi Hoxhës dhe rrëmbimin e Avdyl Loshajt dhe Ziso Kristopullit. Autoritetet shqiptare edhe më parë janë ndeshur në vështirësi, lidhur me gjurmimin e Ilir Kumbaros. Besohet se ai është larguar nga Shqipëria në 1996 dhe pak kohë më pas, në mënyrë të shpejtë është pajisur me identitet të ndryshuar me emrin Shaqa Shatri por edhe me shtetësi çeke. Ndjekja e tij nga drejtësia shqiptare ka qenë po aq e vështirë sa edhe procesi që po zhvillohet në Londër për ekstradimin e Kumbaros, i cili prezantohet me identitet tjetër kur në banesën ku u arrestua në tetor 2008, falë një kombinacioni policor, u gjetën dokumente të djalit dhe vëllait të Ilir Kumbaros, personit të kërkuar në Tiranë. “U bënë kërkime në banesën që pretendoni, por subjekti juaj nuk u gjet”. Kjo ishte një nga përgjigjet zyrtare të palës britanike disa vite më parë mbërritur në adresë të autoriteteve shqiptare, të cilat pas rihapjes së dosjes për zhdukjen e Remzi Hoxhës, ishin vënë në ndjekje të Ilir Kumbaros. Ky i fundit së bashku me tre ish-kolegë të tij në Shërbimin Informativ akuzohen dhe janë dërguar të pandehur në gjykatë për rrëmbimin dhe zhdukjen e biznesmenit Remzi Hoxha por edhe keqtrajtimin e tij dhe dy personave të tjerë, Avdyl Loshaj dhe Ziso Kristopulli. Në vazhdim të kësaj çështje penale, në vitin 2003 Ilir Kumbaro u shpall në kërkim ndërkombëtar dhe u gjurmua nga Interpoli, i cili kishte të dhëna të sigurta për vendndodhjen e Ilir Kumbaros në një banesë në Londër. Informacioni iu përcoll palës britanike por kjo e fundit në mënyrë të shpejtë ktheu një përgjigje të shkurtër sipas të cilës, personi i kërkuar ishte verifikuar në vendndodhjen e dhënë nga pala shqiptare, por nuk ishte gjetur. Ndërkaq informacionet operative policore sugjerojnë se Kumbaro mund të jetë bërë jashtë vendit, pjesë e strukturave të sigurisë me angazhime deri edhe ballkanike. Kështu shpjegohet edhe mënyra e largimit të tij, pajisja me dokumente dhe identitet tjetër, të dhënat e pasakta për vendndodhjen e tij, madje deri tek zvarritja e seancave gjyqësore që po zhvillohen në Londër me qëllim ekstradimin e të kërkuarit në Tiranë.

Agjenti në zhdukjen e Remzi Hoxhës

TIRANE – Ilir Kumbaro, së bashku me tre oficerë të tjerë të Shërbimit Sekret, akuzohet se ka marrë pjesë në shoqërimin e Remzi Hoxhës dhe mbajtjen e tij në një strehë sekrete të SHIK-ut në Vain të Lezhës. Ngjarja ka ndodhur mesditën e 21 tetorit 1995, kur biznesmeni shqiptaro-maqedonas është marrë në punishten e tij dhe është zhdukur pa lënë gjurmë. Hetimet sugjeruan se ai ishte mbajtur duke u marrë në pyetje në një bazë sekrete të SHIK-ut, ku si pasojë e  keqtrajtimeve për të pranuar akuzat kishte vdekur. Varri i tij nuk u gjet asnjëherë, ndërsa dy të rrëmbyer të tjerë në atë kohë, Avdyl Loshaj dhe Ziso Kristopulli, mbijetuan.     

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›