Godina e ish-konviktit, nis rikonstruksioni për të pastrehët
KORÇE – Nis rikonstruksioni i godinës së ish-konviktit, ku rrezikonin jetën 25 familje të pastreha. Prej kohësh, një pjesë e godinës ishte në prag shembjeje, duke u bërë shpeshherë pjesë e apelit për ndihmë. Së fundi, me një fond për meremetime, të miratuar nga Këshilli Bashkiak, ka filluar prishja e segmentit të veriut në këtë ndërtesë e më pas rikonstruksioni i saj. Shtysë për këtë ndërmarrje shërbeu shembja e pallatit në Gjirokastër. Kjo godinë ka vite që është pronë e bashkisë. Për shkak të amortizimit të thellë të rrjetit hidraulik në të dyja skajet e godinës, ku gjenden edhe banjat e saj, lagështira kishte krijuar dëmtime të mëdha. Vitin e fundit pjesë të tëra të mureve anësore kanë rënë dhe në një pjesë tjetër ka “lulëzuar” edhe bari kacavjerrës në mure. Banorët e këtij pallati, të cilët këto banja i kanë kolektive dhe i përdorin edhe si lavanteri, kanë kërkuar prej mëse dhjetë vjet më parë që të vihej dorë se godina do të shembet dhe do t’i zërë brenda. Afro një e treta e familjeve të kësaj godine ditët e fundit u shpërngul, për t’i hapur rrugë rindërtimit të skajit verior të saj. Këshilli Bashkiak ka miratuar një fond prej 400 mijë lekësh për prishjen e seksionit verior, por për gati dy muaj nuk gjendeshim mjete të përshtatshme për të kryer prishjen e këtij seksioni. Ditët e fundit aty kanë mbërritur disa makineri të rënda dhe një vinç që po realizon prishjen. Mësohet se edhe ndërtimi i kësaj pjese të godinës do të bëhet me fonde të Bashkisë. Këtë e ka deklaruar Kryetari i Bashkisë, Niko Peleshi, i cili u shpreh: “Ligji e parashikon që ne mund të ndërhyjmë në godina të tilla që janë me rrezik shembjeje. Po e rrëzojmë dhe do ta ndërtojmë përsëri me fonde të Bashkisë”. Punimet për shembjen po kryhej nga firma “Konstruksion ‘93”. Për t’u hapur rrugë ndërtimeve, bashkia ka larguar 16 familje të kësaj pjese të godinës që jetojnë nga kati i parë deri në katin e pestë, të cilët janë strehuar në mjedise të tjera. Kujdes do të kushtohet për ndërtimin e rrjetit hidraulik të ujit të pijshëm dhe të rrjetit të ujërave të zeza, të cilat do të jenë tërësisht të reja. j.gj