Kouchner uron Metën për detyrën e re
Ministri i Jashtëm i Francës, z. Bernard Kouchner, dërgoi një mesazh urimi për zv.kryeministrin dhe ministrin e Jashtëm, z. Ilir Meta, me rastin e marrjes së detyrës. Kouchner i shkruan ministrit të ri të kabinetit “Berisha” se “kemi konstatuar qartë progresin e arritur prej Shqipërisë në rrugën e saj drejt afrimit me Evropën dhe ju inkurajoj të vazhdoni përpjekjet e bëra deri më sot. Ju siguroj se Franca do të vazhdojë t’ju ofrojë mbështetjen e saj të plotë”. Më tej kryediplomati francez shkruan: “Në këto momente që ju përgatiteni për të kryer funksionet e zv.kryeministrit dhe ministrit të Punëve të Jashtme të vendit tuaj, më lejoni t’ju përcjell përgëzimet e mia dhe t’ju ofroj urimet më të thella për një sukses të plotë në përmbushjen e misionit tuaj. Jam i lumtur që do të kem mundësinë të punoj me ju në kuadrin e dialogut të zhvilluar mes vendeve tona dhe për forcimin e lidhjeve të miqësisë, tashmë të vjetra midis Francës dhe Shqipërisë”. Gjithashtu, një ditë më parë Meta mori urime dhe nga ministrja e Jashtme e Greqisë, Dora Bakojanis, e cila i shkruante: “Kam bindjen se gjatë qëndrimit tuaj në detyrë marrëdhëniet e shkëlqyera midis vendeve tona do të pasurohen dhe zgjerohen në nivel dypalësh dhe ndërkombëtar e në mënyrë të veçantë në kuadër të anëtarësimit të Shqipërisë në BE, një përpjekje që Greqia e ka mbështetur në mënyrë të qëndrueshme dhe të vazhdueshme”.