E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ambasada e SHBA-ve: Shqipëria ende nuk ka siguruar ftesën për në NATO

Zyrtarët e lartë të Ambasadës Amerikane në Tiranë deklarojnë se politika shqiptare po rrezikon me ngadalësimin e reformave
“Reformat në Drejtësi dhe reforma zgjedhore të paplota. Shqipëria ka ende shumë për të bërë”

Shaban Sulçe

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka lëshuar sinjale kritikuese në drejtim të politikës shqiptare, për shkak të ngadalësimit të kryerjes së reformave, veçanërisht të reformës elektorale dhe asaj në Drejtësi. Në një deklaratë për shtyp, përfaqësia diplomatike e SHBA-së në Tiranë ka mohuar zërat për marrjen e vendimit, sipas të cilit Shqipëria ka siguruar marrjen e ftesës së anëtarësimit në NATO.
“Si Ambasada që shërben si pikë kontakti e NATO-s, kemi vënë re raportime nga media në datat 5 e 6 shkurt që sugjerojnë se aleatët e NATO-s kanë marrë tashmë një vendim për t’i ofruar ftesën e anëtarësimit Shqipërisë apo vendeve të tjera të Kartës së Adriatikut. Dëshirojmë të sqarojmë që asnjë vendim formal nuk është marrë ende në lidhje me anëtarësimin e mundshëm në NATO për Shqipërinë apo ndonjë prej vendeve të Adriatikut 3. Të 26 aleatët duhet të jenë në një mendje në mënyrë që të ofrohet një ftesë”, - thuhet në deklaratën për shtyp të Ambasadës Amerikane në Shqipëri.
Shqipëria në NATO? Ende shumë për të bërë
Selia diplomatike e SHBA-ve në Tiranë ka përshëndetur përpjekjet më të fundit të politikës shqiptare për realizimin e reformave. Megjithatë, ajo ka nënvizuar se Shqipërisë i mbetet ende shumë punë konkrete për të bërë, në mënyrë që të sigurojë marrjen e ftesës së anëtarësimit në NATO, gjatë zhvillimit të Samitit të Bukureshtit në muajin prill. “Kohët e fundit kemi vënë re përparim domethënës në përpjekjet e Shqipërisë për të përmbushur standardet e bazuara mbi rezultate të NATO-s, siç janë përvijuar në Planin e Veprimit për Anëtarësim. Megjithëkëtë, mbetet më shumë për t’u bërë”.
Reformat e deritanishme, të paplota
Ambasada Amerikane ka nënvizuar se pavarësisht angazhimit të të dy krahëve politikë në Shqipëri, ende nuk është plotësuar kuadri i mjaftueshëm i realizimit të reformave, veçanërisht në reformën elektorale dhe reformës në Drejtësi. Përfaqësia diplomatike e SHBA-ve gjithsesi ka nxitur politikën shqiptare që të përparojë shpejt dhe konkretisht në plotësimin e detyrave dhe angazhimeve të saj. “Jemi inkurajuar nga qëndrimi i përmirësuar bipartizan kundrejt bashkëpunimit, diçka e evidentuar, midis të tjerash, nga miratimi unanimisht i një rezolute të paraqitur nga opozita në mbështetje të reformave për të përmbushur kriteret e NATO-s. Megjithatë, një numër domethënës reformash, specifikisht në fushat e reformës zgjedhore dhe Gjyqësore, mbeten të paplota. Vazhdojmë të presim përparim të mëtejshëm drejt këtyre reformave për t’u siguruar që Shqipëria të jetë kandidatja më e fortë e mundshme në kohën kur të merren vendimet përfundimtare të NATO-s”, - thuhet në deklaratën për shtyp të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë.

9 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›