Meta: “Lobingu im në Londër për NATO-n dhe Kosovën”
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, i cili prej dy ditësh ndodhet në Londër, në një konferencë të organizuar nga Partia Laburiste, po zhvillon një lobing të fortë për të siguruar mbështetjen e Anglisë për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe për njohjen e pavarësisë së Kosovës. Gjatë vizitës së tij në Londër, ish-kryeministri shqiptar është takuar me personalitetet më të larta të politikës angleze, midis tyre me
sekretarin e Jashtëm të opozitës Britanike, Uilliam Hague, si dhe me kryetarin e Komisionit të Politikës së Jashtme në Parlamentin Britanik, Mike Gabes. Në një intervistë për BBC-në, kreu i LSI-së ka deklaruar se ka marrë mesazhe inkurajuese dhe vendosmërie nga ana e politikës britanike për të mbështetur integrimin e Shqipërisë në NATO e BE si dhe për njohjen e pavarësisë së Kosovës.
“Mendoj se sinjalet në përgjithësi janë pozitive, sidomos nga SHBA-të apo edhe nga Britania e Madhe. Madje edhe në takimet që kisha me sekretarin e Jashtëm të Opozitës Britanike, z. William Hague, bëri të qartë qëndrimin e opozitës britanike, e cila nuk ndryshon aspak nga ai i qeverisë britanike, si përsa i takon një ftese për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, ashtu edhe përsa i takon qëndrimit të Britanisë së Madhe për pavarësinë e Kosovës. Apo sikurse ai u shpreh, që edhe në rastin kur ata pretendojnë për të ardhur në pushtet, politika e Britanisë së Madhe ndaj Shqipërisë do të vijojë të jetë mbështetëse dhe inkurajuese për t'u integruar jo vetëm në NATO së afërmi, por edhe në BE”, - tha Meta. Kreu i LSI-së ka siguruar mbështetjen edhe të kryetarit të Komisionit të Politikës së Jashtme në Parlamentin britanik, Mike Gabes. “Ndërsa të njëjtin pozicion kishte edhe kryetari i Komisionit të Politikës së Jashtme në Parlamentin britanik, z. Mike Gabes. Ajo që unë mendoj personalisht pas shumë këtyre takimeve dhe pjesëmarrjes edhe në Këshillin e Ambasadorëve të NATO-s në Bruksel disa ditë më parë, është një predispozicion shumë pozitiv për të pranuar Shqipërinë në NATO. Por njëkohësisht një vëmendje të madhe ata i kushtuan dhe vijueshmërisë së vendit tonë në rrugën e reformave, sidomos dy reformat që lidhen me atë elektorale dhe Drejtësinë”, - deklaroi kryetari i LSI-së, Ilir Meta.
9 Shkurt 2008