Franca premton ratifikim të shpejtë të MSA-së
Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, zhvilloi ditën e djeshme një takim me ambasadoren e re të Francës në vendin tonë, Maryse Daviet, ku në qendër të bisedimeve u vendosën çështje si Integrimi euro-atlantik i Shqipërisë dhe çështja e Kosovës. “Shqipëria ndodhet në një moment të rëndësishëm, kur pret ftesën për anëtarësim në NATO dhe ne jemi optimistë për ta realizuar këtë në Samitin e Bukureshtit”, - vijoi kryetarja Topalli. “Po ashtu, po ecim me ritëm shumë të mirë me ratifikimin e MSA-së Shqipëri-BE nga vendet anëtare dhe do të ishim shumë të kënaqur që ky ratifikim të bëhej në një kohë sa më të shpejtë edhe nga Franca”, - tha Topalli më këtë takim. Nga ana e saj ambasadorja franceze, pasi vlerësoi ndryshimet e Shqipërisë dhe progresin e dukshëm, garantoi se ratifikimi i MSA-së nga shteti i saj do të bëhet brenda një kohe të shkurtër. “Mbështetjen për anëtarësim, Shqipëria e ka marrë nga Franca që në nënshkrimin e MSA-së dhe nuk ka asnjë dyshim për mbështetjen tonë të plotë e të vazhdueshme”, - u shpreh zonja Daviet. Njëkohësisht kryetarja Topalli theksoi qëndrimin e shtetit shqiptar në mbështetje të pavarësisë së Kosovës, bazuar në paketën “Ahtisari”. Bashkëbisedueset ndanë mendimin se nivelit të lartë të marrëdhënieve parlamentare dhe politike mes dy vendeve tona duhet t’i përgjigjet një nivel më dinamik i bashkëpunimit ekonomik.
9 Shkurt 2008