E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ambasada e SHBA-ve dhuron pajisje për Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm



Tiranë - Ambasada e SHBA-ve në Tiranë, nëpërmjet programit ICITAP, dhuroi disa pajisje për Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm në Ministrinë e Brendshme. Në ceremoninë e dhurimit të këtyre pajisjeve mori pjesë ministri i Brendshëm Bujar Nishani dhe zëvendësambasadori i SHBA-ve në Tiranë, Steve Cristina. Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, e cilësoi esenciale dhe eficiente asistencën dhe mbështetjen që është dhënë deri tani nga qeveria e SHBA-ve për Ministrinë e Brendshme dhe Policinë e Shtetit. “Ndihma për SHKB-në ka gjithashtu një domethënie të madhe duke pasur parasysh se tashmë për këtë shërbim ka një ligj të standardeve demokratike dhe krahas përpjekjeve të vazhdueshme për rritjen e profesionalizmit ka mjaft rëndësi edhe përmirësimi i teknikës dhe pajisjeve të saj”, - u shpreh ministri Nishani. Ai theksoi ndërkohë se misioni i SHKB-së është i rëndësishëm për të kontrolluar bazueshmërinë ligjore të veprimtarisë së Policisë së Shtetit si dhe për të luftuar fenomenet e korrupsionit në radhët e saj. “Ndjekim me kënaqësi përparimin e shënuar në luftën kundër korrupsionit, veçanërisht në radhët e Policisë së Shtetit”, - u shpreh zëvendësambasadori i SHBA-ve në Tiranë, Steve Cristina. Ai theksoi rëndësinë e promovimit dhe forcimit të integritetit profesional të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në mbrojtje të etikës policore, në luftën kundër korrupsionit, në mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të njeriut dhe zbatimit të ligjit si dhe zbatimin e standardeve për mundësi të barabarta në ofrimin e shërbimit policor.

23 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›