Ndalohet adoleshenti, grabiti një grua në mes të rrugës
Tiranë – Një qytetare ka rënë pre e grabitjes së dhunshme nga dy adoleshentë që i rrëmbyen një shumë parash në mes të rrugës. Ngjarja ka ndodhur dje në rrugën “Don Bosko”, në kryeqytet. Policia tha dje për gazetën se në lidhje me krimin u bë arrestimi në flagrancë i 16-vjeçarit A. M., banues në Tiranë, i dënuar më parë për vjedhje. Arrestimi i tij u krye sepse në rrugën “Don Bosko”, në bashkëpunim me një bashkëmoshatarin e tij, dyshohet se i kanë vjedhur një qytetareje çantën e dorës, brenda së cilës ndodheshin 4 000 lekë dhe sende personale. Policia tha se në cilësinë e provës materiale u sekuestruan sendet e vjedhura. Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë për veprën penale të “vjedhjes”, të kryer në bashkëpunim.
Ekstradohet nga Greqia një i dënuar me 10 vjet burg për vrasje
TIRANË - Një person, i dënuar me 10 vjet burg për vrasje nga Drejtësia shqiptare, është ekstraduar dje nga Greqia. Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit bëri të ditur se Interpol Tirana realizoi dje ekstradimin nga Athina të shtetasit Kristaq Thimo, nga Korça, i cili ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar sepse Gjykata e Shkallës së Parë në Korçë, në vitin 2000, e ka dënuar me 10 vjet burg për kryerjen e veprës penale të “vrasjes me dashje” dhe “mbajtjes pa leje të armëve luftarake dhe municionit”. Kristaq Thimo është shpallur fajtor nga kjo Gjykatë për vrasjen me armë zjarri, pas një grindjeje për motive të dobëta, të shtetasit Thoma Pantazi, më 6 gusht të vitit 1997, në fshatin Pojan të Korçës.
Zjarr në një pallat te Profarma, shkak një shkëndijë elektrike
TIRANË- Banorët e një pallati në Tiranë janë alarmuar pas zjarrit të rënë në një nga apartamentet e tij. Ngjarja ndodhi në një pallat 5-katesh, prapa Profarmës. Sipas burimeve nga vendi i ngjarjes mësohet se flakët janë dukur në katin e tretë të pallatit. Familjarët njoftuan me urgjencë zjarrfikëset, të cilat kanë mbërritur me shpejtësi në vend. Për arsye sigurie janë evakuuar banorët që të shmangej ndonjë incident i mundshëm. Nga të dhënat e para bëhet e ditur se janë shkaktuar vetëm dëme materiale dhe për fat nuk ka pasur dëmtime në njerëz. Zjarrfikëset kanë mundur të izolojnë flakët, duke shmangur përhapjen në banesat e tjera. Ende nuk saktësohet shkaku i rënies së zjarrit, por dyshohet se shkak ka qenë një shkëndijë elektrike.
23 Janar 2009