Gjyqi i Bares, mosnjohja e dosjes shtyn seancën
Mosnjohja e dosjes së prokurorisë nga i pandehuri Aldo Bare, i njohur si kapoja i “Bandës së Lushnjës” ka shtyrë seancën në ngarkim të tij. Pas kërkesës së avokatit mbrojtës, kryetarja e gjykatës, Fatmira Hajdari, e ka miratuar atë. Nga gjykata janë pezulluar edhe afatet e paraburgimit në ngarkim të të pandehurit. Sipas pretendimeve të palës mbrojtëse, ai nuk ka mundur që të njohë klientin e tij me akuzat e bëra nga prokuroria, pasi nuk e ka pasur mendësinë, për shkak të masave në të cilat ai mbahet. Nisur nga kjo, nuk është bërë e mundur, që avokati Vladimir Meçe të takonte klientit e tij dhe të njihet me provat e prokurorisë kundër tij. Kërkesa e bërë nga pala mbrojtëse është pranuar nga kryetarja e trupit gjykues, Fatmira Hajdari, pasi në argumentin e saj në bazë të ligjit, gjykimi nuk mund të zhvillohet nëse i pandehuri nuk është njohur me provat kundër tij.
Kjo është seanca e tretë e zhvilluar në ngarkim të kreut të organizatës “Banda e Lushnjës”, ai akuzohet për 20 akuza.
Në përballjen e parë me trupin gjykues që e gjykon, Aldo Bare, i njohur edhe me emrin Alfred Shkurti, kërkon përjashtimin e kryegjyqtares Fatmira Hajdari, duke aluduar për ndikim politik të saj. Ndërkohë që kjo kërkesë është rrëzuar nga Gjykata e Krimeve të Rënda, duke e cilësuar si të pambështetur në ligj kërkesën e Aldo Bares. Sipas arsyetimit, kërkesa nuk mund të pranohet, pasi gjykata nuk është një institucion i politizuar dhe për këtë arsye nuk mund të paragjykohet një gjyqtar se mund të japë vendime politike.
Në seancën e dytë u kërkua nga i pandehuri shuarja e masës së sigurisë, me argumentimin se prej tre vitesh është mbajtur në paraburgim në Turqi për llogari të drejtësisë shqiptare. Por kërkesa e bërë nga i pandehuri nuk u aprovua nga trupi gjykues, si e pambështetur në ligj. Seanca e radhës ndaj Bares u shty për në fillim të janarit. Aldo Bare i njohur si Alfred Shkurti u ekstradua në Tiranë në fund të nëntorit 2009.
Ai akuzohet nga organi i akuzës për një sërë vrasjesh, vendosje bombe dhe krijim e drejtim organizate kriminale.