Ambasadorë të vendeve anëtare të Aleancës së Atlantikut të Veriut vlerësojnë progresin e Shqipërisë në rrugën e saj drejt NATO-s

Ministri i Jashtëm z. Lulzim Basha zhvilloi një vizitë pune në selinë e NA-s në Bruksel ku u takua me ambasadoren e SHBA-së znj. Victoria Nuland, ambasadorin e Kanadasë z. Robert McRae, ambasadorin e Holandës z. Herman Schaper, ambasadorin e Portugalisë z. Manuel Pereira dhe ambasadorin e Danimarkës z. Per Poulsen-Hansen në NA. Ministri Basha gjithashtu mori pjesë ne hapjen e foto-ekspozitës promovuese “Shqipëria e parë nga ajri” të Alket Islamit, në ambientet e selisë së NA-s në Bruksel.
Ecuria e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në NA, progresi i reformave në Shqipëri, situata aktuale në rajon dhe veçanërisht në Kosovë, ishin temat kryesore të diskutimit mes ministrit Basha dhe ambasadorëve të vendeve anëtare.
Duke u ndalur në zhvillimet më të fundit në Shqipëri në planin politik, ekonomik dhe situatën e brendshme, ministri Basha i informoi ambasadorët mbi masat e marra ne kuadër të Plan Veprimit të Anëtarësimit. Ai theksoi se vëmendja e qeverisë shqiptare është fokusuar në drejtim të reformës zgjedhore dhe reformës në sistemin e drejtësisë. Ministri Basha i njohu ambasadorët me veprimet konkrete që qeveria shqiptare po ndërmerr deri në Samitin e Bukureshtit dhe më tej, për të konsoliduar dhe cuar përpara reformat edhe pas marrjes së ftesës.
Ambasadorët nga ana e tyre, vlerësuan progresin e qëndrueshëm që ka bërë Shqipëria veçanërisht gjatë ciklit të 9-të të MAP-it, kontributin e saj në zhvillimet në rajon dhe qëndrimin e matur dhe konstruktiv në zgjidhjen e statusit të Kosovës. Ata shprehën besimin se me realizimin e objektivave të programuara, Shqipëria i ka të gjitha mundësitë për të marrë ftesën në Samitin e Bukureshtit.
Një vend të veçantë në diskutim ka zënë edhe situata në rajon, në veçanti Kosova dhe sfidat e përbashkëta të aleatëve, para dhe pas shpalljes së statusit. Ministri Basha theksoi angazhimin konstruktiv të qeverisë shqiptare në këtë fazë përmbyllëse të statusit të Kosovës. Duke diskutuar masat e marra nga NA për t’iu përgjigjur çdo sfide para dhe pas përcaktimit të statusit, bashkëbiseduesit vlerësuan rëndësinë vendimtare që ka angazhimi i plotë dhe i vendosur i trupave të NA-s në Kosovë për parandalimin dhe frenimin e çdo akti që synon destabilizimin e situatës në Kosovë dhe me gjerë.
Gjatë vizitës Ministri Basha mori pjesë në hapjen e foto-ekspozitës promovuese “Shqipëria e parë nga ajri” në selinë e NA-s në Bruksel. Hapja e kësaj foto-ekspozite është një nga aktivitetet e organizuara nga Ministria e Punëve të Jashtme në kuadër të promovimit të imazhit të Shqipërisë në NA dhe BE. Në pritjen e organizuar me këtë rast morën pjesë ambasadorë të vendeve anëtare të NA-s si dhe zyrtarë të lartë të Aleancës. Në fjalën e tij përshëndetëse ministri Basha theksoi ndryshimet e mëdha që kanë ndodhur në Shqipëri gjatë viteve të fundit dhe vuri në pah vlerat kulturore, historike dhe bukuritë natyrore të vendit tonë. Ai i ftoi të pranishmit të vizitojnë Shqipërinë për t’i prekur këto vlera së afërmi. Ekspozita e cila zgjoi një interes të madh tek të pranishmit do të qëndrojë e hapur gjatë gjithë javës në vijim.