Kryeministri takohet me përfaqësuesit e kompanisë zviceriane SOLO PGM MINE ltd.
Kryeministri priti sot në zyrën e tij përfaqësuesit e kompanisë zvicerane SOLO PGM MINE ltd, që operon prej vitesh në Shqipëri në sektorin e naftës.
Një nga drejtuesit e kësaj kompanie Alexander Cohli tha se zhvillimet e fundit, reformat ekonomike dhe administrative e kanë bërë Shqipërinë tërheqëse për investime të tjera.
Bordi i kompanisë tha ai ka vendosur shtrirjen e investimeve në Shqipëri përmes një projekti për nxjerrjen dhe përpunimin e kromit në Minierën e Kalimashit në Kukës dhe në Vlahën. Projekti arrin vlerën 200 milionë euro dhe në të përfshihet kërkimi, shfrytëzimi i mineralit të kromit, përpunimi i tij përmes pasurimit të ekstraktit si dhe ngritja e një burimi energjetik , hidrocentral ose TEC me kapacitet prodhues 60 megavat që do të përdoret për nevojat e këtij projekti, ndërsa teprica e prodhimit do të kalojë në rrjetin energjetik.
Kryeministri përgëzoi kompaninë SOLO PGM MINE ltd për vendimin e marrë dhe i siguroi se administrata e tij do të përshpejtojë të gjitha procedurat vlerësuese dhe implementuese të këtij projekti.
Njëkohësisht ju sugjeroi të fillonin procedurat e veçanta për prezantimin e projektit energjetik pranë Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës.