E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zhvillohet mbledhja e Komitetit të Planifikimit të Strategjive

U zhvillua sot nën drejtimin  e Kryeministrit Berisha mbledhja e  Komitetit të Planifikimit të Strategjive, në të cilen u prezantuan draft dokumentet e strategjive të dy sektorëve të rëndësishëm atij të energjisë  dhe arsimit.

Strategjia sektoriale e energjisë është një përditësim i “Strategjisë Kombëtare të Energjisë”  për periudhën 2006-2020 në mbështetje të vendimit të Këshillit të Ministrave “Për miratimin e Strategjisë Kombëtare të Energjisë”. Kjo strategji bazohet në angazhimet e ndërmarra nga qeveria në kuadrin e MSA-së, në zhvillimet e fundit të sektorit të energjisë sipas direktivave për sektorin e energjisë të BE-së,  si dhe në detyrimet që dalin nga Traktati i Komunitetit të Energjisë të Vendeve të Europës Juglindore.

Duke vlerësuar strategjinë sektoriale të energjisë tejet të rëndësishme për zhvillimin e vendit, Kryeministri Berisha kërkoi ndër të tjera përshpejtimin e zbatimit të projekteve për prodhimin e energjisë nga burime të tjera jo hidrike. Në këtë kontekst, kryeministri theksoi se është e domosdoshme që në strategji të përfshihet shfrytëzimi i energjisë diellore, duke u bazuar në modelin e vendeve të tjera, të cilat e përdorin këtë energji. Gjithashtu, kryeministri theksoi se energjia bërthamore do të konsiderohet si një burim tjetër alternativ dhe i shpejtë i energjisë. Duke vënë në dukje se shfrytëzimi i këtyre burimeve, ruan mjedisin, Kryeministri theksoi gjithashtu se në strategji do të merret në konsideratë mënyra e përftimit të energjisë nga përpunimi i mbetjeve solide.

Për sa i përket strategjisë sektoriale të arsimit, kryeministri theksoi se është i domosdoshëm fokusimi në fuqizimin e arsimit privat, si një faktor shumë i rëndësishëm i reformimit dhe zhvillimit të sistemit arsimor në Shqipëri. Ndër të tjera, kryeministri kërkoi ndërmarrjen e objektivave më konkrete për ti ardhur në ndihmë zhvillimit të arsimit në zonat e vështira të vendit, si dhe ndërmarrjen e masave për nxitjen e tij në shtresa të caktuara të shoqërisë, si atë rome. Gjithashtu, Kryeministri shtroi si domosdoshmëri përcaktimin objektivave konkrete për realizimin e investimeve në këtë sektor.

Në mënyrë të veçantë, kryeministri u ndal në rëndësinë që ka kualifikimi i stafit mësimdhënës, me metoda moderne dhe bashkohore, për një shërbim sa më cilësor ndaj nxënësve dhe studentëve, duke kërkuar hartimin e planeve konkrete në këtë drejtim.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›