Kryeministri Berisha: Qeveria, dekret për shpërblimin e pensionistëve në festat e fundvitit

Kryeministri Berisha u shpreh sot, gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Demokratike, se qeveria do të hartojë një dekret për të mundësuar shpërblimin e pensionistëve për Vitin e Ri. Kryeministri theksoi se kjo rrugë do të ndiqet me qëllim që dekreti të hyjë menjëherë në fuqi dhe Instituti i Sigurimeve Shoqërore të ndërmarrë të gjitha masat për dhënien sa më shpejt të kësaj shume.
Kryeministri Berisha falënderoi ministrin e Financave për punën e bërë në realizimin e kësaj nisme, ndërsa nënvizoi se kjo është një traditë e krijuar tashmë nga qeveria.
“Kjo shumë shkon rreth 30 milionë dollarë, por pavarësisht kësaj, ky vendim ka në vëmendje dy gjëra: E para, festat e fundvitit nuk mund të bëheshin pa një shpërblim për pensionistët. E dyta, në këtë mënyrë i jepet përgjigjja më e merituar inflacionit. Kjo gjë mbi-indekson pensionet. Me shpërblimin tejkalohet qartësisht niveli i inflacionit dhe ky është një lehtësim shumë i madh”, tha Kryeministri.
Ndërkohë, Kryeministri vuri në dukje se shpërblimi i punonjësve të administratës është i përcaktuar në fondin e pagave dhe ajo do të shpërndahet nga të gjitha institucionet sipas përcaktimit që ka.