E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha inaguron ujësjellësin e Manskurisë, një investim shqiptaro-gjerman me vlerë 4 milionë euro

-Kryeministri: Gjatë këtyre dy vjetëve qeveria shqiptare ka bërë përpjekje shumë të mëdha për të ndërtuar vepra  publike në mbarë vendin, ndërsa gjashtë të tilla janë në ndërtim e sipër

Kryeministri Berisha mori pjesë sot në inaugurimin e ndërtimit të impiantit të ri të përpunimit të ujit, në Manskuri. Ky projekt është një bashkëfinancim i Bankës Gjermane për Rindërtim (KfW) dhe qeverisë shqiptare me vlerën e rreth 4 milionë eurove. Ujësjellësi i Manskurisë parasheh të mbulojë furnizimin me ujë të qytetit të Kavajës, zonave rurale përreth tij dhe plazhit të Golemit në mënyrë të pavarur nga Durrësi.  

Kryeministri Berisha, duke përshëndetur në këtë ceremoni përfundimin e ndërtimit të ujësjellësit të Manskurisë, falënderoi qeverinë gjermane për mbështetjen e vazhdueshme që po jep për ndërtimin e disa veprave të rëndësishme në vend.

“Ujësjellësi i Manskurisë është një vepër shumë e rëndësishme ujore, një dhuratë e qeverisë gjermane që nëpërmjet Bankës për Zhvillim ka financuar këtë projekt, së bashku me pjesëmarrjen e qeverisë shqiptare, si një nga projektet e shumta të furnizimit të shqiptarëve me ujë dhe kanalizimet që shtrihen nga Kruma në Korçë dhe në tërë territorin e vendit”, tha Kryeministri. Ndihma e qeverisë gjermane gjatë këtyre viteve arrin në vlerën e rreth 700 milionë euro dhe i vendos shqiptarët në krye të të gjitha kombeve përsa i përket ndihmës së këtij vendi për frymë.

Më tej, Kryeministri Berisha theksoi se qeveria po merr të gjitha masat për një ujësjellës të ri për qytetin e Kavajës me qëllim furnizimin me ujë 24 orë të këtij qyteti. Ndërkohë, po pritet përfundimi i një studimi për furnizimin me ujë 24 orë edhe të qytetit të Durrësit. 

“Ne mbetemi të angazhuar, ndërsa po presim të përfundojë studimi për furnizimin me ujë të qytetit të Durrësit, të ndërmarrim një përpjekje të re të madhe për të garantuar furnizimin me ujë 24 orë të këtij qyteti”, tha Kryeministri.

Në vazhdim, Kryeministri u shpreh se qeveria shqiptare mbetet e angazhuar për të përmirësuar gjithnjë e më shumë mjedisin për biznesin, të luftojë korrupsionin, krimin e organizuar dhe të konsolidojë shtetin ligjor në mënyrë që potencialet e mëdha që disponon ky vend t’i shndërrojë në vlera për qytetarët e saj dhe në burime të fuqishme të zhvillimit të tij.

Gjatë këtyre dy vjetëve, u shpreh Kryeministri, qeveria bëri përpjekje shumë të mëdha për të ndërtuar vepra publike në mbarë vendin, ndërsa gjashtë të tilla janë në ndërtim e sipër.

Të pranishëm në këtë ceremoni ishin zv/ambasadori i Republikës Federale Gjermane në Tiranë z.Jan Rudolph, ministri i Transporteve Punëve Publike dhe Telekomunikacionit z.Sokol Olldashi, kryetari i Bashkisë së Kavajës z.Refik Rugia, deputetë të zonës, etj.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›