E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha njihet me planin e investimeve që banka gjermane “Deutch Bank” kërkon të realizojë në Shqipëri

Kryeministri Berisha priti sot përfaqësuesit e bankës gjermane “Deutch Bank” dhe grupit financiar të saj. Drejtori i tregjeve globale, Francesko Caputo Nassetti, prezantoi tek Kryeministri projektin për blerjen e bonove të thesarit me afat maturimi 10 –vjeçar.

Ndërkohë, “Deutch Bank” nisur nga eksperienca e investimit në hidrocentralin e Kalivaçit, ka bërë një plan të gjërë investimesh në Shqipëri.

Krahas projektit për të investuar në kaskadën e Vjosës, “Deutch Bank” i paraqiti Kryeministrit edhe planin  e investimeve në portin e Durrësit. Në projektin e “Deutch Bank” përfshihet zgjerimi dhe përmirësimi i kapaciteteve të këtij porti.

Ndërkaq një tjetër sektor me interes për “Deutch Bank” është dhe sektori i minierave të shfrytëzimit të kromit, bakrit dhe hekur nikelit.

Planet e “Deutch Bank”  në energjetikë zgjerohen  me prezantimin e një projekti për përdorimin e erës si burim energjie.

“Deutch Bank”  u interesua edhe për projekte të përpunimit të mbetjeve të ngurta për përftimin më pas të energjisë.

“Deutch Bank” së bashku me kompaninë italiane “Valtour” ka paraqitur edhe një projekt për ndërtimin e një fshati turistik në bregdetin jugor të vendit.

Kryeministri Berisha, pasi u njoh me planin e investimeve të “Deutch Bank”,  siguroi përfaqësuesit e saj se administrata e tij është e gatshme dhe e përgatitur për të mbështetur projektet e propozuara prej tyre. Zoti Berisha iu shpjegoi ecurinë e reformave ekonomike të ndërmarra dhe atyre në proces, duke i garantuar se qeveria e tij është partner në suksesin e zbatimit të  projekteve të tyre.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›