E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ambasadorët: “Dialogu institucional, domosdoshmëri”

Autori i Lajmit: Suela Topi
Reformat jetike për vendin kanë nevojë për një dialog dhe bashkëpunim politik institucional. Kështu kanë pohuar ambasadori i Komisionit Evropian, Helmut Lohan dhe ambasadori i mbretërisë së Spanjës, Montobio gjatë takimit që zhvilluan dje me presidentin Bamir Topi. Sipas tyre, ka një sërë reformash për të cilat është i nevojshëm bashkëpunimi, por veçanërisht në reformën e drejtësisë. Në Kuvend vazhdon të qëndrojë i pavotuar projektligji për Gjykatën Administrative, për Konferencën Gjyqësore, por dhe një sërë ndryshimesh të tjera në Kodin Civil apo penal të cilat janë pjesë e paketës së reformës në drejtësi. Por këto projektligje nuk mund të marrin miratimin e Kuvendit, sepse kërkojnë shumicë të cilësuar pra 84 vota. Gjatë takimit, ambasadorët informuan Kreun e Shtetit dhe për prioritetet e presidencës spanjolle, e cila kryeson Bashkimin Evropian këtë 6-mujor.
Takimi
Presidenti Topi priti në zyrën e tij ambasadorin e KE në Tiranë, Lohan dhe atë të mbretërisë së Spanjës, Manuel Montobio de Balanse. Dy diplomatët e lartë i prezantuan Kryetarit të Shtetit shqiptar programin politik dhe diplomatik të presidencës spanjolle dhe përparësitë e saj gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti. Presidenti Topi edhe në këtë takim ritheksoi faktin se integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian është përparësi kryesore e politikës së jashtme shqiptare dhe se ne jemi të vetëdijshëm për përpjekjet madhore dhe sfidat që duhet të përballim për realizimin sa më të shpejtë të kësaj aspirate. Por gjatë bisedës, sikundër informon institucioni i Presidencës, personalitetet e larta diskutuan gjithashtu dhe për zhvillimet aktuale në vend, duke u përqendruar veçanërisht tek situata politike, si dhe në domosdoshmërinë e dialogut dhe bashkëpunimit politik e institucional për vazhdimin e reformave jetike për vendin tonë, ku në mënyrë të veçantë u theksua rëndësia e reformës në drejtësi. Në këtë takim, ambasadori Lohan dhe ambasadori Montobio, pasi e njohën Kreun e Shtetit shqiptar me programet dhe objektivat e ardhshme të Bashkimit Evropian, sidomos pas hyrjes në fuqi të Traktatit të Lisbonës dhe krijimit të strukturave të reja drejtuese, shprehën mbështetjen e tyre për inkurajimin e forcimit të demokracisë dhe fuqizimit të rolit të institucioneve si dhe përmbushjen sa më parë të aspiratave integruese të popullit shqiptar. Pak ditë më parë, ambasadorët Lohan dhe Montobio zhvilluan një takim dhe me kryeministrin Sali Berisha, të cilit i dhanë mbështetjen për procesin e liberalizimit të vizave, por dhe integrimin e Shqipërisë në BE si dhe me Kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama. Pas takimit me Ramën, Montobio theksoi se “qëllimi i këtij takimi ishte prezantimi i prioriteteve të presidencës spanjolle. Këshilli Evropian e ka bërë të qartë se mënyra më e mirë për të mbrojtur pozicionet e tyre, është dialogu konstruktiv nga ana e të gjithë partive politike. E unë këtu atë përfaqësoj, Këshillin Evropian, komunitetin evropian”,- është shprehur ambasadori Montobio.

Ky lajm është publikuar: 20/01/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›