Kriza politike Bojkoti, Rama tur në Evropë e Amerikë
Autori i Lajmit: Suela TopiKryetari i Partisë Socialiste do të nisë së shpejti një tur në Evropë dhe më pas në Amerikë. Burime nga selia rozë pohojnë për “Ballkan se gjatë këtij turi ai pritet të takojë krerët më të lartë të politikës ndërkombëtare me të cilët do të diskutojë për situatën politike në Shqipëri, por dhe për arsyet që shtynë PS-në të bojkotonte Kuvendin dhe për më tepër ta vazhdojë edhe më tej këtë veprim. Turi evropian do të përqendrohet në Bruksel ku kreu i selisë rozë pritet të ketë një sërë takimesh të rëndësishme. Turi i tij në Evropë është në të njëjtën kohë me takimin e dimrit të Këshillit të Evropës, i cili do të zhvillohet nga datat 25-29 janar. Në këtë takim do të debatohet mbi situatën në Lindjen e Mesme, e cila do të drejtohet nga kryeministri i Greqisë, Jorgos Papandreu, dhe ministri i Jashtëm italian, Franko Fratini. Në po këtë sesion, Asambleja Parlamentare e KE-së pritet të diskutojë dhe një drafrezolutë për situatën politike në Shqipëri.
Turi
Brukseli do të jetë epiqendra e takimeve të Kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama. Gjatë vizitës së tij në Bruksel ai pritet të zhvillojë një takim me kreun e ri të Komisionit të Zgjerimit, çekun Stefan Fule, me presidentin e Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso, por dhe me kryetarin e socialistëve të Parlamentit Evropian, Martin Shulc. Gjatë këtyre takimeve pritet që kryesocialsiti të bëjë një panoramë të plotë të situatës politike në vend, por dhe të theksojë fort arsyet që e kanë çuar opozitën në bojkot. Socialistët shprehen të bindur se qëndrimi i tyre ka gjetur mbështetjen jo vetëm të socialistëve evropianë, por edhe më gjerë. Ndërkohë që pjesë e diskutimit pritet të jenë dhe reformat që duhet të plotësojë Shqipëria për të siguruar liberalizimin e vizave, por dhe integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Komisioneri i ri i BE për zgjerimin, pas zgjedhjes së tij është shprehur se kufijtë e një Evrope të ribashkuar do të përfshijnë të gjitha vendet ish-komuniste të Ballkanit Perëndimor. Fule theksoi se këto vende mbajnë mbi supe barrë të rëndë historike dhe politike, ndaj ato duhen ndihmuar. “Besoj se ne e pranojmë të gjithë se vendet e Ballkanit Perëndimor mbajnë mbi vete një barrë të rëndë historike dhe politike. Prandaj ne duhet tu ndihmojmë atyre, me sa të mundemi, dhe të shfrytëzojmë të gjitha mjetet, që ata të vazhdojnë reformat e domosdoshme. Dhe ne duhet të garantojmë se ne nuk lëmë jashtë në shi asnjë vend të Ballkanit Perëndimor”,- ka theksuar Fule. Sipas tij, Ballkani Perëndimor do të jetë brenda kufijve të Evropës së ribashkuar. Ai tha gjithashtu se një sërë vendesh si Ukraina apo Gjeorgjia, duhen afruar me BE përmes politikës së fqinjësisë, por pa një perspektivë konkrete për pranim. Sipas Fules, Politika e fqinjësisë është e re në sektorin e Komisarit të Zgjerimit. Por të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor (ish-Jugosllavia dhe Shqipëria), krijon shpresa për një anëtarësim të mëvonshëm në BE. “Besoj se ne e pranojmë të gjithë se vendet e Ballkanit Perëndimor mbajnë mbi vete një barrë të rëndë historike dhe politike. Prandaj ne duhet tu ndihmojmë atyre, me sa të mundemi, dhe të shfrytëzojmë të gjitha mjetet, që ata të vazhdojnë reformat e domosdoshme. Dhe ne duhet të garantojmë se ne nuk lëmë jashtë në shi asnjë vend të Ballkanit Perëndimor”,- ka theksuar Fule.
Ky lajm është publikuar: 20/01/2010