E Diel, 1 Nëntor 2026

Korçë, largohet nga shkolla mësuesja e Filozofisë

 KORçE - Mësuesja e lëndës së Filozofi-Sociologjisë nuk do të japë më mësim në shkollën e mesme “Raqi Qirinxhi” në Korçë. Drejtoria Arsimore e rrethit vendosi të emërojë një tjetër mësues për të dhënë këtë lëndë në gjimnaz, ndërsa Violeta Tici u transferua tek “Ekonomiku”. Ndonëse një ditë më parë, kur u bojkotua masivisht mësimi, vendimi ishte për një largim të përkohshëm të saj, gjatë ditës së djeshme Drejtoria Arsimore vendosi që ta largojë përfundimisht atë nga kjo shkollë. Kreu i kësaj drejtorie, Andrea Mano, u shpreh dje se është marrë vendim i prerë që mësuesja Violeta Tici të transferohet në një shkollë tjetër të mesme të qytetit. Kjo zgjidhje mësohet se është ndërmarrë për të ndërprerë protestat masive, si dhe reagimet që ka sjellë në opinion qëndrimi dhe vlerësimet e mësueses Violeta Tici. Dhe në fakt, që nga dita e djeshme, kur është mësuar transferimi i Ticit në një shkollë tjetër, nxënësit  kanë vijuar normalisht mësimin. Sipas të dhënave, vetë mësuesja ka pranuar të largohet nga Shkolla e Mesme “Raqi Qirinxhi”, në të cilën ajo për gati 22 vjet kishte dhënë mësim, me qëllim për të shuar protestën e nxënësve. Në fakt, opinionet për këtë mësuese, si të kolegëve të saj edhe të prindërve të nxënësve janë disi të ndara, duke mos qartësuar nëse kjo mësuese me përvojë e lëndës së Filozofi-Sociologjisë ka mangësi në metodën e mësimdhënies  e të vlerësimit të nxënësve apo këta të fundit duhet të përgatiten sipas kërkesave të saj për një notë sa më reale dhe të bazuar në njohuritë e tyre.                       g.a

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›