E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përmbytjet, PS: Kriza su reflektua në buxhetin 2011- 2013

Autori i Lajmit: Redaksia
Partia Socialiste reagon një ditë pas miratimit të rezolutës për përmbytjet në qarkun e Shkodrës nga Parlamenti, të cilin vazhdon të bojkotojë që në ditën e parë të hapjes së tij. Deputeti socialist i qarkut të Shkodrës, Ilir Beqja, pohoi dje se Shkodra nuk ka nevojë për rezolutë boshe, por për masa konkrete për të ndihmuar banorët e zonave të përmbytura. “Ne i bëjmë thirrje Sali Berishës të fillojë menjëherë me vlerësimin e dëmeve me ekipe profesionistësh të përbërë nga: inxhinierë ndërtimi për vlerësimin e banesave; agronomë për vlerësimin e dëmeve në të mbjella; veterinerë në vlerësimin e dëmeve në gjënë e gjallë dhe zooteknikë në vlerësimin e dëmeve të bazës ushqimore; të bëjë ndryshimet e nevojshme në ligjin e buxhetit të shtetit për të siguruar fondet për dëmshpërblimin; të fillojë asistencën e menjëhershme financiare për familjet që tash e dy javë nuk kanë më asnjë mundësi të gjenerojnë të ardhura”, - deklaroi Beqja. Sipas deputetit socialist, seanca e djeshme pati qëllim të ngrejë në qiell punën e qeverisë, korrupsioni i së cilës solli dhe përmbytjet në Shkodër dhe jo të tregojë masat që do të merren për të ndihmuar të përmbyturit. “Në orë të tëra ligjëratash e fjalimesh mediokre, duke filluar që nga Sali Berisha, Jozefina Topalli etj., nuk dëgjuam asnjë grimë kërkesë faljeje apo makar një marrje përgjegjësie nga autorët e kësaj katastrofe. Sepse për këtë mazhorancë, perëndia mund të gabojë, por Sali Berisha e Dritan Prifti jo!”, - tha ai. Beqja shtoi se ende nuk ka nisur vlerësimi i dëmeve dhe në buxhetin afatmesëm 2011- 2013 nuk është reflektuar as kriza ekonomike, as kriza e përmbytjeve. Pas akuzave të tij ka reaguar zëdhënësja e Partisë Demokratike, Erla Mëhilli, e cila pohoi se PS kritikoi seancën e jashtëzakonshme që e kërkoi vetë. “Me “tellall-qyqarin” e sotëm, Edvini mund të depersonalizojë veten dhe ekipin e tij, por nuk mashtron dot Shkodrën, e cila e pa lakuriq në sallën e Këshillit Bashkiak të Tiranës, tek urdhëronte këshilltarët e tij të votonin kundër ndihmës së emergjencës që Bashkia e kryeqytetit do të jepte për zonat e përmbytura”, - përfundoi zëdhënësja e PD-së.

Ky lajm është publikuar: 20/01/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›