Ambasadorët: Duhet qeveri legjitime
Bashkimi Europian u bën thirrje partive politike shqiptare që të mbyllin sa më parë procesin zgjedhor, ndërsa paralajmërojnë se faza e ankimimeve do të jetë mjaft e konsiderueshme në përpilimin e raportit përfundimtar. Në ditën e parë të shqyrtimit të ankimimeve nga Kolegji Zgjedhor, ambasadorë të BE në vendin tonë zhvilluan një takim me anëtarë të këtij kolegji. Në një njoftim për shtyp thuhet se Presidenca Europiane, shefi i Delegacionit të Komisionit Europian dhe ambasadorët e Mbretërisë së Bashkuar, Republikës Federale të Gjermanisë dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, takuan Kolegjin Zgjedhor për të sinjalizuar mbështetjen e tyre të vazhdueshme dhe interesin për një proces elektoral të besueshëm. "Këto zgjedhje janë një test i rëndësishëm i pjekurisë demokratike të Shqipërisë dhe gatishmërisë për të ecur përpara drejt integrimit të mëtejshëm në BE", thuhet më tej. Sakaq, bëhet me dije se BE dhe SHBA vijon të ndjekë zhvillimet për procesin zgjedhor dhe duke pasur parasysh ndërhyrjet e partive politike që u vunë re gjatë numërimit të votave theksojnë rëndësinë që ka Kolegji Zgjedhor në vendimet e tij. Komuniteti ndërkombëtar vazhdon të ndjekë nga afër procesin elektoral. "Vlerësimi final i zgjedhjeve të 28 qershorit do të varet në një shkallë të konsiderueshme nga trajtimi i procesit të ankimimeve dhe apeleve. Duke pasur parasysh ndërhyrjet që u vunë re në procesin e numërimit të votave nga partitë politike dhe presione ndaj administratës zgjedhore, përfaqësuesit diplomatikë theksuan rëndësinë e rolit të Kolegjit Zgjedhor dhe të një procesi gjyqësor të pavarur", vijon deklarata e ambasadorëve. Ndaj, diplomatët janë të prirur që të nxitin administratën zgjedhore dhe partitë politike të punojnë konstruktivisht për një mbyllje të suksesshme të procesit zgjedhor, drejt formimit të një qeverie legjitime. Sakaq, strukturat e misioneve të huaja janë duke përpiluar raportin përfundimtar për zgjedhjet e 28 qershorit, por presin që të thonë fjalën e fundit vetëm pasi të përfundojë procesi i apelimeve në Kolegjin Zgjedhor. Pas shqyrtimit dhe vendimeve që do të marrë Kolegji, KQZ do të bëjë përllogaritjet e fundit, duke shpallur rezultatin përfundimtar. Tetë javë pas këtyre zgjedhjeve, OSBE-ODIHR do të publikojë raportin përfundimtar të zgjedhjeve, duke dhënë verdiktin përfundimtar të komunitetit ndërkombëtar mbi procesin zgjedhor të 28 qershorit në Shqipëri. Madje, as shefi i Politikës së Jashtme në BE, Havier Solana, nuk ka dhënë ndonjë koment për zgjedhjet në Shqipëri, duke shmangur një vizitë në Tiranë. "Zgjedhjet u mbajtën jo shumë kohë më parë dhe nuk është kohë e mirë të shkoj atje, por kjo nuk do të thotë që Tirana është jashtë mendjes sime. Por mendoj se duhet t‘u japim kohë njerëzve ta finalizojnë procesin zgjedhor. Nuk do të doja të komentoja tash. Më lejoni ta bëj këtë më vonë, kur t‘i kem të gjitha detajet. Fakti që nuk mund të komentoj sot është një koment", është shprehur Havier Solana, përfaqësuesi i lartë për Politikën e Jashtme dhe Siguri në BE, gjatë një vizite që pati në Prishtinë disa ditë më parë.