KQZ shpall mandatet për Qarkun e Lezhës
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi dje vendimin për ndarjen e mandateve në Qarkun e Lezhës, duke çuar në 60 numrin e mandateve të shpallura deri më sot. Bazuar në tabelën përfundimtare të këtij qarku, katër mandate i takojnë Partisë Demokratike dhe tre mandate Partisë Socialiste. Deri më tani, KQZ ka shpallur mandatet në qarqet që nuk janë kontestuar nga subjektet politike: si në Korçë gjashtë mandate për PD dhe gjashtë për PS; në Dibër 4 mandate për PD dhe 2 për PS; në Vlorë 6 mandate për PS, 4 për PD, 1 PBDNJ dhe 1 PDI; në Gjirokastër 3 mandate për PS dhe 2 mandate për PD; Kukës 4 mandate për PD dhe 1 mandat për PS; Elbasan 7 mandate për PD dhe 7 mandate për PS. Pas shqyrtimit dhe vendimmarrjes së Kolegjit Zgjedhor pritet shpallja e mandateve për Beratin, Tiranën, Fierin dhe Shkodrën. KQZ shqyrtoi disa ankimime nga subjektet politike për pesë qarqe, duke e nisur me Qarkun e Fierit, ankimimi i parë për të cilin u dorëzua nga Partia Socialiste për numërimin e 9 kutive që mbaheshin në ambientet e KQZ-së, duke vijuar më pas me ankimimet PD dhe PDI po për këtë qark. Qarku i Beratit u ankimua nga tre parti: PS, G99 dhe PR, e cila e tërhoqi kërkesën e saj në momentet e fundit. Qarku i Tiranës u ankimua nga PBDNJ dhe Partia Socialiste, ndërsa Qarku i Shkodrës u ankimua nga tre parti: PD, PDK dhe PS. Ndërsa Qarku i Durrësit u ankimua nga Partia Konservatore. Të gjitha këto qarqe, pas vendimit të KQZ-së për t‘i rrëzuar kërkesat ankimore janë apeluar në Kolegjin Zgjedhor pranë Gjykatës së Apelit, Tiranë.