E Shtunë, 31 Tetor 2026

Beqja: Qeveria, shpenzime marramendëse për fushatën

Partia Socialiste iu rikthye sërish shqetësimit të saj për rritjen e akcizës për disa mallra të caktuar dhe rritjen indirekte të disa taksave. Kandidati për deputet, Ilir Beqja, tha se kjo rritje e akcizës dhe e taksave rëndon direkt mbi xhepat e konsumatorit shqiptar. Beqja vuri në dukje se rezultatet skandaloze të mbledhjes së të ardhurave në 6 muajt e parë të vitit, shpenzimet marramendëse në funksion të fushatës zgjedhore dhe përkeqësimi i deficitit buxhetor në 6 muajt e parë të vitit rikonfirmojnë shqetësimet e ngritura prej nesh që në muajin mars, si dhe kundërshtimin që i bëmë nismës më të fundit të qeverisë që të nesërmen e bërjes publike. Ndaj PS del në përfundimin se në arkën e shtetit mungon një shumë e madhe për shkak të mosmbledhjes së të ardhurave. "Në 6 muajt e parë të vitit 2009 mungojnë në arkën e shtetit 122 milionë dollarë nga mosmbledhja e të ardhurave. Mosrealizim në mbledhjen e të ardhurave ka në çdo zë të të hyrave, përveç tatimit mbi të ardhurat personale", deklaroi ai. "Në 6 muajt e parë të vitit 2009, shtoi Beqja, është mbledhur vetëm 4.7% më shumë tatim mbi vlerën e shtuar se në 6 muajt e parë të vitit 2008, gjë që kundërshton edhe deklarimet për rritje reale të produktit të brendshëm bruto me 6%".

Ai vuri në dukje se rritja e akcizës për kafenë dhe cigaren, si dhe rritja indirekte e detyrimeve doganore për mallrat që nuk vijnë nga vende të Bashkimit Europian, do të ndjehet direkt te konsumatorët me të ardhura mujore të pakta. "Shtrenjtimi i kafesë dhe i cigareve do t‘u marrë çdo muaj pensionistëve të qytetit gjysmën e rritjes së pensionit që përfituan në 1 maj", nënvizoi zyrtari i PS-së. Sakaq, këtë fenomen Beqja e vlerësoi si një sjellje konstante të qeverisë aktuale që prej 3 vjetësh, kur Sali Berisha deklaroi uljen më të madhe të taksave në Europë. Ka tre vjet që rriten sistematikisht taksat indirekte në Shqipëri. "Këto taksa i paguan direkt konsumatori familjar shqiptar, apo i vuan indirekt sipërmarrja nga ulja e volumit të shitjes", tha ai. Ky shqetësim u ngrit pak ditë më parë nga kandidatja për deputete, Ermelinda Meksi. Ajo doli në përfundim se rritja e akcizës për disa mallrave dhe rritja e taksave për disa mallra që nuk vijnë nga Bashkimi Europian, bëhet për të mbuluar shpenzimet pa kriter që qeveria ka bërë gjatë fushatës elektorale, duke tentuar që të mbulojë një pjesë të tyre.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›