E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ambasadorët: Gjyqtarët, jo politikë



Erald Kapri

Ambasadorët e huaj në Tiranë kërkojnë një reformë reale në sistemin e drejtësisë. Në ditën Kombëtare të Drejtësisë, kur akti i parë ligjor shqiptar u dekretua nga Qeveria e Ismail Qemalit, më 10 maj 1913, Ambasadori i OSBE-së, Robert Bosch, dhe ai amerikan, John Withers, kërkuan që gjyqtarët të jenë apolitikë, por edhe të mbartin vlerat më të larta profesionale. Duke iu referuar procesit të emërimit të 10 gjyqtarëve në Gjykatën Kushtetuese dhe atë të Lartë, Bosch tha se të qenit apolitik për gjyqtarët nuk mjafton. "Shpresoj që të gjithë personat e përfshirë në procesin e përzgjedhjes do të sigurojnë që individët e përzgjedhur të jenë jopolitikë. Sidoqoftë, të qenit apolitik nuk mjafton. Në fund ata që zgjidhen duhet të jenë gjithashtu, juristë të shkëlqyer dhe duhet të kenë një reputacion të rrënjosur si njerëz të pakorruptuar apo të pakorruptueshëm. Sidoqoftë, nuk duhet që fokusi publik aktual në këto emërime të profilit të lartë të na largojë nga proceset e përzgjedhjes në gjykatat e niveleve më të ulëta", deklaroi Ambasadori i OSBE-së, i cili shtoi se "për të pasur një reformë gjyqësore reale dhe të qëndrueshme, nevojiten ndryshime madhore në kodet e procedurës që drejtojnë punën e përditshme në gjykata".
Nga ana e tij, Ambasadori Amerikan, Withers, vuri theksin tek korrupsioni. Ai kërkoi që gjyqtarët e korruptuar të ndiqen penalisht në mënyrë efektive. "Para së gjithash është e rëndësishme të njohim që korrupsioni në gjykata ekziston si problem. është e rëndësishme të pranojmë heqjen e imunitetit të gjyqtarëve prej Kushtetutës, në mënyrë që gjyqtarët e korruptuar të mund të hetohen dhe të ndiqen penalisht. Dhe është e rëndësishme të ngresh zërin sa herë që faktet dhe njohuritë për korrupsionin paraqiten", tha Withers, i cili nënvizoi edhe nevojën e përzgjedhjes së gjyqtarëve profesionistë dhe jo të varur politikisht si dhe të transparencës në sistemin e drejtësisë.
Presidenti
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, në fjalën e tij e tij të rastit për ditën Kombëtare të Drejtësisë, vuri theksin tek pavarësia e gjyqtarëve, duke u kërkuar atyre të shkëputen nga interesat politike, por edhe financiare. "Në koshiencën e vet, pavarësisht bindjeve politike të gjithsecilit, të cilat midis jush duhet të jenë shumë private dhe të paekspozuara, duhet të dini të ndaheni nga politika në ushtrimin e profesionit tuaj. Kjo është shumë e rëndësishme. Por, politika nuk mbetet e vetmja pikë referimi që mund të influencojë në vendimmarrjet tuaja, sepse sot ka edhe një pushtet tjetër, që është pushteti financiar", tha Topi

Status për gjyqtarët e liruar
Ambasadori i OSBE-së, Robert Bosch, kërkoi dje që të miratohet me ligj një status i veçantë për gjyqtarët që u mbaron mandatet. "Statusi i paqartë i këtyre ish-gjyqtarëve nuk mund të jetë i pranueshëm për askënd. është thelbësore që Kuvendi i Shqipërisë të ndërmarrë hapat e nevojshme për të siguruar që ata, të cilët kanë shërbyer për nëntë vjet në këtë gjykatë, të jenë të qartë për të ardhmen e tyre. Këta njerëz nuk mund të kërkojnë punë, ndërsa shërbejnë në gjykatë dhe shumë shpesh, u duhet të marrin vendime që mund të jenë të papërshtatshme me perspektivat e punës së tyre të ardhshme", tha Bosch. Sipas tij, këtyre gjyqtarëve u duhet siguruar një e ardhme të qëndrueshme profesionale dhe ekonomike.

Presidenti dekreton Minarollin dhe Dervishin
Presidenti Bamir Topi dekretoi dje Vili Minarollin, si Ambasador në Austri. Njëkohësisht me dekretimin e emërimit të Minarollit në Athinë, kreu i shtetit firmosi edhe dekretin për lirimin e tij si Ambasador në Greqi, si dhe Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Republikën e Qipros dhe në Republikën e Tunizisë, jorezident. Ish kreu i Partisë Demokratike për degën e Tiranës, do të mbajë këtë post për katër vitet e ardhshme. Ndërkohë, kreu i shtetit ka dekretuar si ambasador në Greqi, Dashnor Dervishin, ish kreun e diplomacisë shqiptare në Rumani. "Dashnor Dervishi, emërohet Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Republikën e Greqisë, rezident, si dhe Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Republikën e Qipros dhe në Republikën e Tunizisë, jorezident", thuhet në dekretin e kreut të shtetit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›