Nishani: 5 mijë të përndjekur u dëmshpërblyen
TIRANE - Ministria e Drejtësisë ka përfunduar dosjet e dëmshpërblimit për 5370 ish-të përndjekur politikë. Shifra u bë e ditur nga ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani, në një takim me ish-të përndjekur dhe drejtuesit e organizmave pro tyre, për rastin e 10 majit, Ditës së Drejtësisë. Sipas ministrit Nishani, vlera financiare në total e këtyre dosjeve të trajtuara dhe të përfunduara kap shifrën e rreth 20 miliardë e 145 milionë lekëve. "Puna do të vazhdojë më me shumë intensitet. Për ta thjeshtuar dhe bërë atë me transparente, por edhe më të kontrollueshme, tashmë është ndërtuar regjistri elektronik i çdo dosjeje të dëmshpërblimeve si dhe ministria po studion me kujdes mundësitë ligjore për kapërcimin e problematikave të ndeshura deri më tani në këtë proces", u shpreh ministri në fjalën e tij. Duke iu drejtuar ish-të përndjekurve të pranishëm, ministri Nishani u shpreh se "E tërë shoqëria shqiptare është dhe duhet të mbetet e obliguar ndaj kontributit që solli kauza juaj, vitet e rinisë që ju i sakrifikuat". Simon Miraka, drejtues i Institutit të ish-të Përndjekurve Politikë, në fjalën e tij citoi një deklaratë të bërë nga ish-Presidenti Alfred Moisiu pak ditë në parë. "Edhe sot pas 20 vjetësh të vjen keq kur sheh që ka ende nostalgji për të kaluarën. Dhe kjo e thënë nga një ish-President demokratik, që thotë 'S'ka Kryeministër si Mehmet Shehu'", u shpreh Miraka. Duke pohuar se procesi i dëmshpërblimit ishte në rrugë të mbarë, Miraka kërkoi dje edhe dëmshpërblim moral. "Procesi i dëmshpërblimit është duke ecur në rrugë të mbarë. Veç dëmshpërblimit material, ne kemi nevojë edhe për dëmshpërblim moral. Ky dëmshpërblim është që të mos shohim persekutorët tanë në gjykata dhe në prokurori. Le të jenë në rolë këshilluese, por jo vendimmarrëse", tha Miraka. ar.ba